Site icon PORTALB

Rebelët Huthi e sulmuan një aeroport në Arabinë Saudite

Aeroporti Abha në Arabinë Saudite

Aeroporti Abha në Arabinë Saudite

Rebelët Huthi në Jemen, të cilët mbështeten nga Irani, sulmuan aeroportin Abha në Arabinë Saudite, duke plagosur nëntë vetë, njofton REL.

Koalicioni saudit, i cili i lufton rebelët Huthi, tha përmes një deklarate se nëntë civilë janë plagosur, në mesin e tyre tetë sauditë dhe një shtetas i Indisë.

Një zëdhënës i rebelëve konfirmoi se grupi ka kryer një “operacion të madh” me shënjestër aeroportin në Abha, që është kryeqytet i provincës Asir në Arabinë Saudite.

I njëjti aeroport është sulmuar edhe në qershor, kur ka mbetur i vdekur një person.

Lëvizja shiite Huthi është rebeluar në Jemen që nga viti 2014, kur ka marrë nën kontroll një pjesë të madhe të territorit, duke e detyruar presidentin Abdrabbuh Mansour Hadi të mërgojë.

Konflikti është përshkallëzuar në mënyrë dramatike në mars të vitit 2015, kur Arabia Saudite dhe tetë vende të tjera sunite arabe – të mbështetura nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca – kanë filluar sulmet ajrore kundër rebelëve Huthi, me qëllim, siç është thënë, rikthimin e qeverisë së presidentit Hadi.

OKB-ja thotë se mbi 7,000 civilë janë vrarë që nga fillimi i konfliktit.

Exit mobile version