RMV, në rrjedhë thirrja e Ministrisë për t’u punësuar si motër medicinale
Ministria e Shëndetësisë (MSH) në rrjedhë e ka thirrjen për motrat medicinale për të treguar interes për punë, e cila do pritet të përfundojë më 30 qershor 2019, transmeton Portalb.mk.
Në thirrje mund të paraqiten të gjithë ata që kanë mbaruar shkollën e mesme, arsimit e lartë apo studimet deri në 3 vjet, punë praktike dhe provimin profesional.
Puna në kohëzgjatje prej 6 muaj do të mund të kryhet në institucionet shëndetësore publike, shtëpi të shëndetit dhe spitale të përgjithshme me veprimtari të zgjeruar.
Për t’u paraqitur në thirrjen publike të MSH-së, duhet të evidentoni: emrin dhe mbiemrin, vendbanimin, kontakt-telefonin dhe adresën e postës elektronike (e-mail), kopje të diplomës, kopje të provimit profesional të kaluar dhe institucionin shtetëror publik ku dëshironi të punoni varësisht vendbanimit.
Paraqitjen mund ta dorëzoni në formë të shkruar në arkivin e Ministrisë së Shëndetësisë, rr. “Divizioni 50” nr. 14, 1000 Shkup, më së voni deri më 30.06.2019, me mbishkrimin: THIRRJE PUBLIKE për të treguar interes për punë në shërbimet e veprimtarisë së patronazhit për motra medicinale.
Paraprakisht MSH-ja thirrje për të treguar interes për punë pati hapur për mjekë.