SHBA, u miratua ligji prej 4,6 miliardë dollarë për kufirin
Dhoma e Përfaqësuesve ka miratuar versionin e Senatit për projektligjin për financimin e kufirit, duke e tërhequr versionin që e miratoi një javë më parë, raporton Anadolu Agency (AA).
Dhoma e Përfaqësuesve votoi 305-102 për të miratuar projektligjin e Senatit pasi kryetarja Nancy Pelosi tërhoqi propozimin e saj të mëparshëm për të bashkuar dy projektligjet para se ligjvënësit të shkojnë në pushim për festën e 4 Korrikut.
“Fëmijët janë më të rëndësishëm. Në fund të fundit, ne patjetër të sigurohemi që të jenë të gatshme resurset e nevojshme për të mbrojtur fëmijët”, tha Pelosi në një letër dërguar grupit të saj.
Projektligji i Senatit parashihte alokimin e 1,3 miliardë dollarëve për përmirësimin e ndërtesave në kufi dhe 2,9 miliardë dollarë për përkujdesjen ndaj fëmijëve emigrantë. Duke e miratuar me votë 84-4, projektligji i senatit ishte në kundërshtim me versionin e Dhomës së Përfaqësuesve.
Projektligji i Dhomës së Përfaqësuesve bënte thirrje për vizita të kongresistëve pa paralajmërim të mëparshëm, përmirësim të ushqimit dhe higjienës dhe ofrimin e kujdesit mjekësor, por u kritikua nga Senati, i cili tha se projektligji është i njëanshëm.
“Dhoma e Përfaqësuesve nuk ka bërë përparim të duhur drejt krijimit real të një ligji, vetëm teatër të rezistencës”, tha lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell. “Senati ka një mënyrë më të mirë dhe të dyanshme për të ecur para”.
Projektligji i dorëzohet presidentit amerikan Donald Trump për miratim.
Presidenti amerikan ka ndjekur një qasje të ashpër ndaj emigracionit, si atij ligjor ashtu edhe atij joligjor, që nga ardhja në pushtet duke veçuar Meksikën për atë që e cilëson si mungesë të veprimit për të ndaluar rrjedhën e emigrantëve nga Amerika Qendrore, ku njerëzit po largohen shkaku i kushteve të vështira siç janë varfëria e skajshme dhe dhuna e bandave, me shpresë se do të arrijnë siguri apo azil në SHBA.
Të dy projektligjet erdhën pasi një fotografi u bë e famshme në rrjetet sociale e cila shfaqte kufomat e një prindi dhe vajze të cilët ishin mbytur përderisa kishin tentuar të notojnë përtej lumit Rio Grande, në rrugën për në SHBA. Trajtimi i fëmijëve emigrantë në qendrat e ndalimit në SHBA gjithashtu ishte në fokus të opinionit dhe ishte pjesërisht një katalizator për legjislacionin konkurrues.