Vesel Memedi dha dorëheqje nga Kuvendi i RMV-së (DOKUMENT)
Deputeti nga radhët e Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK), njëkohësisht edhe nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Vesel Memedi deponoi dorëheqje deri te kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, transmeton Portalb.mk.
LEXO: Ndryshimet në Qeveri, Zaev u tërhoq nga posti i ministrit të Financave
Siç thuhet në dokumentin e dorëheqjes, mandatin e deputetit ia kthen popullit.
Paraprakisht, Memedi ka deklaruar se nuk pranojmë marrjen e ministrisë nga ana e partnerit koalicionues, që t’i kënaqim partnerët e LSDM-së.
Ai informoi se do të dorëzojnë dorëheqje të parevokueshme të gjithë anëtarët e partisë që janë në pozita të drejtorëve, borde udhëheqëse dhe se ai do të tërhiqet nga pozita – nënkryetari Kuvendit.
“Nuk mundet të ketë Pazar për vend ministror, pasi që këtë ministri gjithmonë e kanë udhëhequr shqiptarët, dhe unë nuk kam mandat të bëj Pazar në emër të shqiptarëve dhe t’ia jap këtë ministri partnerit të koalicionit, LSDM. Nuk kam kurrfarë të drejte morale, as të drejtë tjetër, ta sakrifikoj një figurë të ndershme dhe të shkathët siç është ministri im, Suhejl Fazliu. Nëse partnerët e koalicionit LSDM dhe BDI dëshirojnë që ta vazhdojnë rrugën tonë të përbashkët drejt rrumbullakimit të qëllimeve finale, me partnerin më korrekt dhe më të ndershëm që ndonjëherë e kanë pasur, RDK-në, atëherë LSDM duhet ta tërheqë propozimin për shkarkimin tonë, ndërkaq BDI të mos e votojë shkarkimin e ministrit”, tha Memedi.