Gafa e radhës, Romney: Përse nuk hapen dritaret e avionëve?
Kandidati republikan për postin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mitt Romney ka regjistruar gafën e radhës. Gjatë një mbrëmje bamirësie Romney ka shtruar pyetjen se përse nuk mund të hapen dritaret e avionëve.
“Është një problem shumë i madh në rast aksidentesh”, tha Romney. Dhe deklarata sa hap e mbyll sytë qarkulloi me shpejtësi në mbarë mediat botërore.
Ndërkohë disa orë më vonë, gazetarja e “New York Times”, e cila ishte e para që publikoi lajmin, u shpreh se për mendimin e saj, kandidati republikan po bënte shaka kur hodhi këtë ide ‘brilante’.
Po çfarë e bëri Romney-n të mendonte në këtë mënyrë? Pak ditë më parë bashkëshortja e tij Ann, po udhëtonte me një avion, i cili bëri ulje emergjence në Denver, Colorado, për shkak të një defekti.
“Nuk besoj se mund ta merrni me mend sa u shqetësuam. Kur ka zjarr në avion, nuk di se nga t’ia mbash dhe ndërkohë në ambientet brenda nuk mund të hyjë ajri, sepse dritaret nuk mund të hapen. Nuk e di përse nuk e bëjnë një gjë të tillë, është një problem i madh dhe një rrezik serioz për jetën e njerëzve”, u shpreh Romney, ndërsa ndodhej në një mbrëmje në Beverly Hills, transmeton TCH.
Siç raporton Los Angeles Times, nuk dihet nëse dikush i ka shpjeguar kandidatit për president pasojat e hapjes së dritareve të avionit: ngrica, nivelet e ulëta të oksigjenit, si dhe presioni i jashtëm dhe i brendshëm që mund të shkatërrojë mjetin fluturues.
“Është e pamundur, ai duhet t’i dinte këto gjëra, sepse ka kaluar shumë orë në fluturim”, thotë Patric Smith në blogun e tij ‘Ask the pilot’. Nuk të falin edhe në Twitter. Shumë njerëz i prezantojnë milionerit Romney ide të jashtëzakonshme se si mund të ndërtohet ‘Air Force One’ ideal.
Më vonë në faqen në internet të New York Magazine, ndërhyri Ashley Parker,gazetarja e New York Times, e cila publikoi e para gafën e Romney. Parker u shpreh se ishte e sigurt se Romney po bënte shaka.
“Ishte më se e dukshme se Romney lëshoi një batutë dhe të gjithë të pranishmit qeshën”, tha Parker. Por njerëzit nuk binden lehtë në kësi rastesh. E kështu një prej reagimeve ishte: Të pranishmit qeshën me fjalët e tij apo me të?/Portalb