Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria përsëri në zënkë për historinë

Dy vendet ballkanike Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, që para dy viteve e nënshkruajtën Marrëveshjen për fqinjësi të mirë, janë përplasur në lidhje me prejardhjen e figurës historike të Goce Dellçevit, çështje e cila e ka ashpërsuar fjalorin e politikanëve të lartë shtetëror të dy vendeve, njofton Portalb.mk.

E para që e ka nisur valën e reagimeve ka qenë ministrja e jashtme bullgare, Ekaterina Zaharieva, e cila në disa paraqitje publike tha se është i papranueshëm sugjerimi i Maqedonisë së Veriut që Dellçevi të përkujtohet së bashku më 7 tetor, kur në 1946 Bullgaria ia dorëzoi mbetjet mortore Maqedonisë.

Në lidhje me polemikën është deklaruar edhe presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski, i cili në një emision deklaroi se Goce Dellçev është deklaruar vetë si bullgar, por njëkohësisht ka luftuar për shtetin maqedonas.

Në mesin e reagimeve të shumta, të politikanëve, por edhe të personaliteteve të fushës përkatëse, ka tërhequr vëmendje “polemika diplomatike” mes dy kryeministrave të vendeve, Bojko Borisov dhe Zoran Zaev.

Kryeministri bullgar Borisov në Bruksel ka deklaruar se maqedonasit ende duhet që “të piqen” që të fitojnë datë për bisedimet për hyrje në BE.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit të RMV-së, Zaev, i cili tha se me Bullgarinë kemi nënshkruar marrëveshje për miqësi dhe bashkëpunim, dhe jo për polemika publike, duke porositur të dy shtet duhet bashkë të piqen.

Kjo nuk është zënka e parë mes dy vendeve fqinje. Reagime të zyrtarëve bullgarë kishte edhe pas një deklaratë të kryeministrit Zaev se “Marrëveshja e Prespës vërteton ekzistimin e gjuhës maqedonase dhe se askush më nuk do të ketë të drejtë që këtë ta kontestojë”.

Gjatë bisedimeve, historianët dhe ekspertët në komision nga të dy vendet përpiqen të tejkalojnë të gjitha vërejtjet nga një këndvështrim akademik dhe profesional për aq sa është e mundur për të shmangur politikën.

Komisioni është formuar në bazë të paritetit për zgjidhjen e çështjeve të hapura historike dhe arsimore, në harmonizim me nenin 8 paragrafi 1 nga Marrëveshja për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, e cila u nënshkrua më 1 gusht të vitit 2017.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button