Xhaferi: Zgjedhjet e parakohshme do të sjellnin konflikte të përgjakshme

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi, në intervistën e dhënë për “Zëri i Amerikës” është shprehur skeptik se Maqedonia do të merr ftesë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, pengesë kryesore për këtë është moszgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë.

“Pavarësisht përmbushjes së obligimeve të cilat ne në proces e sipër i kemi kry, edhe unë kam shumë dilema se do të kalojmë, për arsye se Greqia ka vendosur veto dhe kjo është bërë e pakapërcyeshme”, është shprehur ai.

Në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, ai është shprehur se ndryshimi i mentaliteteve dhe i qasjes ndaj fenomeneve në Maqedoni nuk mund të ndryshohet me ndryshimin e Kushtetutës apo të ligjeve.

“Ndryshimi i mentaliteteve, gjegjësisht qasja ndaj fenomeneve, vështirësive është një proces i vështirë që po zhvillohet në Maqedoni për arsye se me ndryshimin e Kushtetutës dhe ligjeve ne nuk mund t’i detyrojmë njerëzit që ata të jenë më tolerantë, të kenë më shumë mirëkuptim”, është shprehur Xhaferi.

Xhaferi u ka rekomanduar ndryshime kushtetuese zërave opozitar që kërkojnë një marrëveshje të re, me propozime konkrete, edhe pse, sipas tij, tani për tani nuk ka ndonjë atmosferë se palët mund t’i hyjnë një dialogu të tillë kur, siç është shprehur ai, para nesh kemi shumë sfida, një prej të cilave është marrja e datës për fillimin e procesit të euro integrimeve dhe stagnimi i procesit të anëtarësimit në NATO që shkakton reflektime të ndryshme në opinion për shkaqe sigurie.

Sa i përket krizës politike mes koalicionit qeveritar VMRO-BDI, Xhaferi është shprehur se debati për ligjin e branitellave me iniciativë të grupit të deputetëve të VMRO-së është në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit dhe se ky diferencim çon drejt ndarjes së palëve dhe rëndon menaxhimin e pushtetit brenda koalicionit.

Ai ka folur edhe për incidentet në lidhje me ndryshimin e emrave të shkollave në komunën Çair.

“Ka iniciativa të komunave të shkollave, gjegjësisht ne po ndeshemi në praktikë me të drejtat të cilat decentralizimi i jep pushtetit vendor do të jemi si qeveri qendrore dhe si parti politike më të guximshëm që ne duhet ta avancojmë decentralizimin nëse nuk dëshirojmë që të kemi konflikte më të mëdha në të ardhmen”, është shprehur ai duke paralajmëruar se nëse nuk vazhdohet me avancimin substancial të decentralizimit, vetvetiu do të lindin grupe dhe do të hapet alternativa tjetër se mos vallë perspektiva e Maqedonisë mund të jetë një sistem federativ.

Xhaferi ka folur edhe për zgjedhjet e parakohshme, duke thënë se zgjedhjet në Ballkan mund të shndërrohen në konflikte të përgjakshme.

“Ekziston dilema se zgjedhjet e parakohshme nuk mund brenda natës t’i zgjidhin këto dilema dhe në atmosferë kaq tensionuese, zgjedhjet në Ballkan rrezikojnë të shndërrohen në konflikte më të përgjakshme. Dhe kjo është ajo kujdesi që bëjmë ne si parti që të shfrytëzohen institucionet që mos të del konflikti jashtë institucioneve dhe fatkeqësisht nuk do ta përballojnë as zgjedhjet e parakohshme atëherë”./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button