PDSH: BDI kundër ministrave të vet, pro deputetëve të VMRO-së
Në seancë plenare në Kuvend sot u votua për futjen në procedurë të shpejtë të Propozim Ligjit për zhvillim rural dhe bujqësi i propozuar nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së. Votimi pro këtij propozimi nga ana e BDI-së nxiti reagimin e deputetëve të PDSH-së, të cilët kërkuan sqarim se pse tani BDI voton pro një Propozimi për të cilin javën e kaluar votuan kundër.
“Ky propozim ligj që tash u votua për të hyrë në procedurë të shpejtë në Parlament ishte në votim i propozuar nga ana e Qeverisë. Grupi parlamentar i BDI-së votoi kundër atij propozimi. Të jemi të qartë më shumë për opinionin, që ta kenë të qartë çfarë ndodhi tani. Ishte një votim për procedurë të përshpejtuar për ligjin për zhvillim rurali propozuar nga ana e grupit parlamentar të VMRO-së. I njëjti propozim ligj para disa ditësh ishte në procedurë dhe grupi parlamentar i BDI-së votoi kundër. Tani shtohet pyetja se kujt i besojnë ata më shumë, Qeverisë, ministrave që i kanë në Qeveri apo grupit parlamentar të VMRO-së që udhëhiqet nga Boneva. Sidoqoftë mendoj se jo për ne por për opinionin duhet të jepet një sqarim për atë se çfarë ndodhi, cili është çmimi i për të cilin këta sot po votojnë për një propozim të cilin para disa ditëve votuan kundër. Padyshim se është një cirk politik mirëpo mendoj se qytetarët duhet ta jenë të qartë. Se çfarë ndodh, të paktën atë ua kanë borxh qytetarëve të sqarojnë se pse para disa ditëve votuan kundër dhe sot votojnë për një propozim ligj të njëjtë i cili ishte i propozuar nga ana e ministrave të Qeverisë, ndërsa është sot është I propozua nga ana e deputetëve të VMRO-së” – tha deputeti i PDSH-së Imer Aliu.
Këtij reagimi të Imer Aliut iu përgjigj koordinatori i BDI-së, Talat Xhaferi i cili tha se BDI mbetet konsistent në qëndrimet e saja.
“Procedurale kërkova për të reaguar për faktin që keqpërdorimi i procedurales për të hyrë në debat në këtë formë nuk ka tjetër formë përpos që me procedural të intervenohet. Për qytetarët që na dëgjojnë dhe jo për grupet parlamentare këtu, BDI mbeti konsekuent që kishte për propozim ligjet në procedurë të shkurtuar si propozim i Qeverisë, si pasojë e rendit të ditës së seancës së 40të. Mirëpo çfarë ndodhi në atë seancë. Në atë ndodhi që të propozim që nuk e mbështeste shumica parlamentare, grupi parlamentar i BDI-së, si propozim I Qeverisë kaloi me votat e opozitës ku shpresoj bëjnë pjesë edhe votat e PDSH-së. Besoj që anasjelltas duhet të sqarojmë se çka ishte marrëveshja që opozita ka mbështet një propozim ligj të Qeverisë nëse një pjesëtarë i Qeverisë nuk e mbështet atë ligj. Në miratim të ligjit ne mbetëm konsekuent qëndrimit tonë dhe nëse votuam kundër edhe në rast të miratimit votuam kundër. Pse opozita përsëri ndërroi mendjen, unë nuk di, le të sqarojnë ata para opinionit. Kjo është realiteti, a se ne kemi përgjegjësi para qytetarëve dhe ndaj bujqve flet fakti që ne e mbështesim propozim ligjin” – tha Xhaferi.
Deputeti tjetër i PDSH-së, Bekim Fazliu mohoi që PDSH ndonjëherë ka votuar për ndonjë ligj të qeverisë, duke akuzuar BDI-në se janë ata që për çdo ditë ndryshojnë qëndrimet.
“Unë shpreh keqardhje për Talat Xhaferin, seriozisht shpreh keqardhje se ai nuk di çka flet. Për këtë që nuk din çka flet fajin e ka VMRO-DPMNE. Çfarë ligji ne kemi përkrahur të Qeverisë. Ne asnjë propozim ligj të Qeverisë nuk kemi përkrahur, përkundrazi ju jeni ata që për çdo ditë i ndërroni qëndrimet. Jo për mu dhe për PDSH-në të jepni sqarime, duhet ti jepni sqarime opinionit dhe qytetarëve të cilët ju kanë votuar, pse i ndërroni qëndrimet për çdo ditë” – tha Fazliu.
Ndryshe sot Kuvendi verifikoi mandatin e deputetes së PDSH-së Sadije Iljazi e cila vjen në vend të të ndjerit Arben Xhaferi. /Portalb/