Site icon PORTALB

Serbia – politika e vjetër e saj

Xhelal Zejneli

Shkruan: Xhelal Zejneli

Më 12 qershor të viti 1999, në saje të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrjes së NATO-s kundër forcave pushtuese serbe, Kosova u çlirua. Me çlirimin e saj iu dha fund padrejtësisë më të madhe në Evropë. Ndërhyrja e Aleancës Veri-Atlantike parandaloi pastrimin etnik të Kosovës të planifikuar nga Beogradi si dhe një katastrofë humanitare përmasash biblike. ShBA-ja solli në Ballkan liri, paqe, stabilitet dhe vlera demokratike. Pikërisht për këtë, ajo gëzon mbështetjen e të gjitha forcave demokratike të rajonit. Pjesëmarrja e ish-presidentit amerikan Bill Klinton, e ish-sekretares së Shtetit Medlin Ollbrajt, e zëvendës-ndihmëssekretarit të Shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike, Metju Palmer, e komandantit suprem të NATO-s, gjeneralit Uesli Klark në kremtimin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës nga pushtuesit serbë, paraqet nder për qytetarët e saj.

*   *   *

Në fillim të korrikut pritet të mbahet në Paris takimi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Duke qenë se Serbia në këtë takim do të shkojë me politikë të vjetër, atëherë nuk është vështirë të konstatohet se nga ky takim s’do të dalë gjë.

Teologu dhe shkrimtari amerikan Xhejms Friman Klark (James Freeman Clarke, 1810-1888) thotë: “Dallimi ndërmjet politikanit dhe burrit të shtetit qëndron në faktin se politikani mendon për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa burri i shtetit mendon për brezat e ardhshëm”.

Serbisë i duhen burra shteti dhe jo politikanë si Vuçiqi apo si Daçiqi të cilët shikojnë nga e kaluara dhe kundërshtojnë të tashmen. Serbisë i duhet një burrë shteti që do ta shkëputë atë nga ideologjia e Garashaninit. Ora e politikës serbe është ndalur në kohën e Naçertanies.

Serbia ka nevojë për një politikë të re, euroatlantike. Serbët kanë nevojë për një burrë shteti:

Duhet shtuar se në historinë politike të kohës më të re, Serbia ka luftuar kundër Bullgarisë disa herë, ndërsa Kisha Ortodokse Serbe sot e kësaj dite nuk e njeh atë sllavo-maqedonase.

Një shtëpi që është në konflikt me të gjithë fqinjët e vet, fajin duhet ta kërkojë në vetvete.

Para do kohe, autoritetet e Kosovës ndërhynë në veri për të parandaluar veprimet e paligjshme të individëve apo të grupeve të caktuara. Serbia në Kosovë nuk do rend dhe rregull. Ajo do kaos. Për këtë ndërhyrje legale dhe legjitime të organe të policisë së Kosovës, kryeministrja serbe i quajti shqiptarët njerëz të malit. Vallë, ç’njerëz na qenkëshin serbët e Ana Bërnabiqit të cilët në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar sulmuan me ushtrinë serbosllave dhe me paramilitarët serbë – Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën e Hercegovinën dhe Kosovën, duke vrarë dhe duke plagosur qindra mijë vetë?!

*   *   *

Në vitin 1970, kancelari gjerman Vili Brant vajti në Poloni dhe u gjunjëzua para lapidarit të viktimave të nazizmit gjerman. Serbisë i duhet një burrë shteti që ta bënte të njëjtën, që do të gjunjëzohej para një përmendoreje të viktimave të krimeve serbe në Kosovë dhe gjetkë. Vuçiqi, ky ndjekës i devotshëm i politikave të vjetra serbe dhe i ushqyer me ideologjinë mesjetare dhe bizantine të Klerit Ortodoks Serb, këtë nuk mund ta bëjë.

Serbia nuk ka një intelektual siç është shkrimtari dhe filozofi ekzistencialist francez Zhan-Pol Sartri i cili e dënoi rreptë luftën kolonialiste të Francës në Algjer, duke mbështetur prerazi lëvizjen algjeriane për vetëvendosje. Në qershor të vitit 1961, në hyrje të apartamentit të tij në Paris shpërtheu një lëndë shpërthyese që ishte vendosur nga ultranacionalistët e ekstremit të djathtë. Një akt i tillë u përsërit edhe një herë tjetër. Kur e djathta franceze i kërkoi Gjeneral Sharl Dë Golit që ta arrestojë Sartrin dhe ta nxjerrë para skuadrës së pushkatimit, Presidenti Dë Gol u përgjigj: “Ma gjeni një që mund ta burgosë Volterin”?! Një Volter si Sartri serbët nuk kanë, as që mund të kenë. Baba të kombit, serbët e quanin shkrimtarin e pallankave dhe akademikun me shkollë të mesme bujqësore – Dobrica Qosiqin.

*   *   *

 Qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni dhe Berlini e dinë mirë se shqiptarët, ndonëse evropianë dhe në Evropë, janë i vetmi popull në rruzullin tokësor që është i ndarë në gjashtë pjesë: në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Çamëri. Shqipëria është i vetmi shtet në Evropë dhe ndër të rrallët në botë, më tepër se gjysma e së cilës ndodhet jashtë saj.

Çlirimi i Kosovës nga kolonializmi serb në vitin 1999 dhe shpallja e pavarësisë së saj më 17 shkurt të viti 2008, i paralajmëruar nga ish-presidenti amerikan Xhorxh W. Bush paraqet vetëm zgjidhje të pjesshme të çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan.

Duke qenë se çështja e Kosovës është e mbyllur, nga kjo del se në takimet midis përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, nuk ka për se të bisedohet. Në ato takime Kosova duhet t’i kërkojë Serbisë:

Sa për pakicën serbe në Kosovë, e gjithë bota e di se liritë dhe të drejtat e tyre janë të garantuara me ligjet e Kosovës, sipas standardeve më të larta të BE-së. Ç’kërkon Beogradi më shumë se kaq?!

Kërkesat e sipërthëna të cilat Kosova duhet t’ia paraqesë Beogradit, nuk janë çështje takimesh apo ndërmjetësimesh diplomatike. Kancelaritë e fuqive historike të Evropës duhet të ndërmarrin një angazhim më të madh për ta parandaluar politikën luftënxitëse të Beogradit. Po qe se nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë, atëherë është Uashingtoni ai që do t’i dalë zot kësaj pune. Shqiptarët nuk kërkojnë kurrfarë të drejtash të posaçme, për arsye se ndaj tyre nuk është bërë kurrfarë padrejtësie e veçantë, por padrejtësi e përgjithshme, padrejtësi historike.

Një burrë shteti serb që do ta varroste politikën e vjetër serbe dhe që do të ndiqte një politikë të re, euroatlantike do të mund ta shndërronte Serbinë në faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe do t’u çelte perspektivë brezave që vijnë.

Exit mobile version