Site icon PORTALB

Janë ulur tensionet në Sudan

Sudan

Sudan

Protestuesit dhe udhëheqësit ushtarakë në Sudan kanë rënë dakord që të rifillojnë bisedimet së shpejti, njoftoi një ndërmjetës nga Etiopia, njofton REL.

Opozita u pajtua të pezullojë fushatën e mosbindjes civile.

Në anën tjetër, ushtria është pajtuar që të lirojë të burgosurit politikë, u tha gazetarëve i dërguari i posaçëm, Mahmoud Dirir.

Mjekët thonë se 118 persona kanë vdekur nga shpërthimi i fundit i dhunës, ndërsa zyrtarët thonë se ka pasur 61 viktima.

Udhëheqësit ushtarakë ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht kthimin në bisedime.

Më parë të martën, një diplomat i lartë i SHBA-së për Afrikën njoftoi një udhëtim në Sudan për t’i kërkuar të dyja palët që të rifillojnë bisedimet.

Lajmet për kthimin në bisedime pasuan ndërhyrjen e Kryeministrit të Etiopisë Abiy Ahmed, i cili u takua me të dyja palët për të provuar të thyejë bllokimin.

Raportet e pakonfirmuara sugjerojnë se një Këshill qeverisës prej 15 anëtarësh është propozuar për periudhën kalimtare, të përbërë nga tetë civilë dhe shtatë zyrtarë ushtarakë.

Sudani është i përfshirë nga trazirat dhe dhuna që nga muaji prill, kur ushtria e rrëzoi nga pushteti presidentin Omar-al Bashir i cili kishte sunduar me vendin për rreth 30 vite.

Largimit të tij nga pushteti i paraprinë protestat në mbarë vendin.

Mirëpo, pasi Këshillu Ushtarak njoftoi se do të udhëheq me vendin për një përiudhe kalimtare 2 vjeçare, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, protestuesit vazhduan qëndrimin në rrugë duke kërkuar transferimin e menjëhershëm të pushtetit te një qeveri civile.

Exit mobile version