Site icon PORTALB

Rekomandimi

Besa Arifi

Besa Arifi, foto nga Vanço Xhambaski

Maqedonia e Veriut mori rekomandim të pastë për të hapur negociatat për aderim në Bashkimin Evropian. Bëhet fjalë për raportin e progresit më pozitiv që kemi pranuar deri më tani. Në të gjitha pikat e raportit në mënyrë të qartë është përshkruar progresi i vërejtur gjatë vitit të fundit. Rekomandimi për të hapur negociatat e aderimit është jo vetëm i pastër por i kristaltë. Komisioni Evropian ka dhënë dritë jeshile pa asnjë rezervë për hapjen e atyre negociatave duke vlerësuar në këtë mënyrë mundin e këtyre dy viteve, lidhjen e marrëveshjeve historike dhe përpjekjet për të përmbushur kërkesat e reformave urgjente të vendosura në raportet e Pribesë dhe në raportet paraprake të KE.

Në kuadër të kritereve politike është e pamundur të mos vërehen notat dhe vlerësimet shumë pozitive të cilat qëndrojnë të sqaruara në këtë raport. Kështu, raporti përcakton që qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë për të rivendosur sistemin e kontrollit dhe balansit mes institucioneve dhe ka vazhduar të bëjë ndryshime qenësore në një atmosferë politike inkluzive dhe të hapur dhe në këtë mënyre ka arritur rezultate të dukshme në të gjitha sferat e identifikuara në Konkluzat paraprake të Komisionit edhe atë në: gjyqësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në shërbimet inteligjente dhe në administratën shtetërore.

Raporti vëren që qeveria ka pasur qasje të hapur dhe inkluzive për të siguruar kompromisin e nevojshëm për të gjitha ndërmarrjet e lartpërmendura duke përfshirë të gjitha palët si opozitën dhe sektorin joqeveritar. Raporti i progresit e quan Marrëveshjen e Prespës marrëveshje historike dhe thekson rëndësinë e të gjitha veprimeve që janë bërë për zbatimin e saj.

Ajo që mund të përmblidhet duke lexuar me vëmendje të gjitha faqet e këtij raporti janë pikat në vazhdim:

Me një raport të këtillë progresi, me të gjitha sakrificat dhe kompromiset që Maqedonia e Veriut i bëri në këto dy vitet e fundit, nuk ka sit ë mos krijohen pritshmëri të arsyeshme që ky shtet të marrë datë për hapjen e negociatave këtë verë. Mosdhënia eventuale e datës do ta vendoste vetë Bashkimin Evropian në një situate të çuditshme hipokrizie ndërsa në Ballkan do të krijonte kushte për trazira të reja dhe kahje tërësisht të padëshirushme të vendeve të këtushme.
Fundja, nëse shteti ka bërë sakrifica të mëdha, ka ndryshuar një pushtet autoritar me një pushtet të hapur dhe inkluziv, ka ndryshuar emrin duke zgjedhur kështu një kontest tridekadësh ndërfqinjësor, ka bërë përpjekje të mëdha të bëjë reformat e përcaktuara nga BE dhe për këtë ka marrë vlerësime të pastra dhe të kristalta pozitive pikërisht nga BE, është logjik e pastër që shteti të marrë date për hapjen e negociatave, sepse këtë e ka merituar me gjithë këto që u përmendën.

E megjithatë, me gjithë rekomandimin e pastër e të kristaltë, ardhmëria mbetet ende e turbullt. Ku është drejtësia këtu?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version