Site icon PORTALB

Ligat e Maqedonisë, me format të ri

Pamje nga një ndeshje kampionale e Ligës së Dytë

Pamje nga një ndeshje kampionale e Ligës së Dytë

Sezoni i ri futbollistik 2014/15 në Maqedoni që pritet të fillojë në muajin gusht, siç është bërë e ditur që më par, do të luhet me katër faza, me sistem vajtje-ardhje, e që është kjo hera e parë që Federata e Futbollit të Maqedonisë të aplikojë një format të këtillë në të dyja ligat.

Në të do marrin pjesë dhjetë skuadra: Rabotniçki, Horizont Turnova, Metalurgu, Shkëndija, Vardari, Pelisteri, Bregallnica, Renova, Sileksi dhe Teteksi. Këto dy të fundit u ngjitën nga Liga e Dytë Futbollistike, ndërkohë që zbritën një kategori më poshtë katër skuadra: EuroMilku, Makedonija Gjorçe Petrovi, Napredoku dhe Gostivari.

Skuadrat që në sezonin e ri do të renditen në vendin e nëntë dhe të dhjetë, do të zbresin direkt nga Liga e Dytë, për t’u lënë vendin dy skuadrave të para në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë, e cila gjithashtu duke filluar nga sezoni i ardhshëm, do të numërojë vetëm 10 skuadra, e ku bëjnë pjesë Shkupi, Vrapçishti, Drita, Skopje, EuroMilku, Makedonija Gj.P., Napredoku dhe Gostivari, ndërsa pas ndeshjeve të balotazhit që do të zhvillohen me 31 maj, 04 dhe 08 qershor, pritet të mësohet se kush do të jenë dhe dy ekipet tjera që do të jenë pjesë e kësaj lige, e cila gjithsesi do të jetë po aq e fortë dhe interesante sikurse edhe Liga e Parë. 

Kampionati i ligave me nga dhjetë skuadra dhe me katër faza është konsideruar si më e mira nga ana e drejtuesve të FFM-së. Kjo mënyrë e garimit do të sjellë së pari futboll më cilësor, pasi do të kemi më shumë duele mes skuadrave më të mira, duke pasur parasysh se luhen 4 herë derbi ndeshje midis Shkëndijës dhe Renovës, Rabotniçkit – Vardarit, Metalurgut dhe Horizont Turnovës. 

Zyrtarët e federatës pretendojnë se në këtë mënyrë do të rritet edhe shikueshmëria nëpër stadiume, pasi do të ketë më shumë ndeshje kualitative. / Portalb

Exit mobile version