Ambienti i papastër në Banjën e Tetovës, Komuna thotë se fajin e kanë qytetarët e pandërgjegjshëm

Banja e Tetovës e cila mbledh shumë vizitorë për shkak të vetive shëruese që ka, të njëjtit i kthen të zhgënjyer nga papastërtia dhe mbeturinat. Banorët ankohen se mbeturinat nuk mblidhen vazhdimisht, ndërsa Komuna e Tetovës nga ana tjetër thotë se ndërgjegjësimi i popullatës është shkaktar kryesorë në ndotjen e ambientit, transmeton Portalb.mk.

Sipas Komunës së Tetovës në Banjën e Tetovës ka mjaftueshëm kosha për plehra dhe mbeturinat mblidhen vazhdimisht nga Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova”.

“Pastrimi dhe grumbullimi i mbeturinave bëhet rregullisht nga ndërmarrja kompetente NPK e gjithashtu edhe vendosja e koshave për mbeturina, ka mjaftueshëm”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Megjithatë, pamja e Banjës së Tetovës lë të kuptohet diçka tjetër. Duke e pasur parasysh se mbeturinat janë të hedhura edhe në lumin “Shkumbin”, Komuna e Tetovës thotë se arsye për mos pastërtinë nuk është mos grumbullimi i mbeturinave në kohë, por ndërgjegjësimi i qytetarëve.

“Këtu ndikon shumë edhe ndërgjegjësimi i popullatës si shkaktar kryesor në ndotjen e ambientit, për shkak se vendi është një qendër rekreacioni për shëtitje dhe relaksim dhe vizitohet nga një pjesë e madhe e qytetarëve sigurisht që ndikon shumë në mbledhjen dhe hedhjen e më shumë mbeturinave”, thonë nga komuna.

Megjithatë, komuna pranon se ndonëse qytetarët hedhin mbeturinat vazhdimisht dhe ndotin ambientin, përgjegjësia bie mbi të.

“Përgjegjësia bie gjithmonë tek komuna dhe ndërmarrja që merret me këtë punë e si problematikë është shtruar tek organet kompetente që pritet të ndërmarrin aktivitete shtesë në këtë drejtim”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Ambienti jo shumë i pastër, rrugët e reja të rrënuara, shembjet e mureve anësore dhe mungesa e ulëseve për të pushuar, janë këto imazhet nga të cilat rrethohen vizitorët dhe pushuesit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button