Site icon PORTALB

Ancelotti: Pepe dhe Benzema nuk janë ende gati

Carlo Ancelotti

Carlo Ancelotti

Vetëm pak ditë na ndajnë nga finalja e madhe e Uefa Champions League mes Realit dhe Atleticos që do të zhvillohet në stadiumin “Da Luz” të Lisbonës. Në kampin Los Blancos po e presin me padurim këtë euro-derbi. Trajneri i Realit, Carlo Ancelotti mendon se kjo ndeshje do të jetë shumë e ekulibruar dhe nëse skuadra dëshiron të fitojë duhet të sforcohet tejmase për ta arritur këtë gjë.

“Nuk ka sekrete për këto lloj ndeshjesh. Ne e njohim mirë Atleticon por edhe ata na njohin shumë mirë ne. Si të gjitha sfidat e tjera finale besoj se edhe kjo ndeshje do të jetë shumë e ekuilibruar. Do të kemi përballë një ekip solid dhe për të fituar duhet të sforcohemi shumë por mbi të gjitha duhet të jemi të bashkuar. Shpresoj që edhe në Lisbonë të kemi mbështetjen e publikut ashtu si në finalen e Kupës përballë Barcelonës dhe në sfidën e parë gjysmëfinale të Championsit ndaj Bayernit”.

Përsa I përket dëmtimeve Ancelotti theksoi se qëndërmbrojtësi portugez Pepe dhe sulmuesi Karim Benzema janë të vetmit në skuadër që nuk kanë marë veten 100%.

“ Pepe dhe Benzema janë të vetmit futbollistë për të cilët kemi ende dyshime. Në lidhje me rikuperimin e tyre nuk jam as optmist por as pesimist. Nëse ndeshja do të luhej sot ata nuk do të mund të zbrisnin në fushë por deri të Shtunën gjithçka mund të ndodhë. Nëse Pepe nuk ja del dot, Varane mund ta zëvendësojë shumë mirë atë”.

Atletico gjithashtu po vuan shumë me dëmtimet madje rrezikon që në finale të mos ketë dy nga lojtarët e saj më të mirë sulmuesin Diego Costa por edhe mesfushorin turk Arda Turan, megjithatë italiani nuk mendon se pa ta Atletico është më pak e fortë.

“ Janë dy futbollistë shumë të rëndësishëm, megjithatë Atletico ka zhvilluar ndeshje fantastike edhe pa ta. Nuk besoj se mungesa e mundshme e Diego Costas dhe Arda Turan mund të zvogëlojë forcën e tyre si skuadër”.

Ajo që po krijon shqetësim te Reali është se kush do ta zëvendësojë Xabi Alonson pasi ky I fundit është I skualifikuar dhe nuk do të mund të luajë në finale. Favoriti kryesor për të marrë postin e mesfushorit të kombëtares spanjolle është Illarramendi edhe pse Ancelotti nuk e konfirmon diçka të tillë.

“Po ju them vetëm që e shoh shumë mirë Illarramendin ashtu siç shoh edhe të gjithë të tjerët. Ai ka besim dhe është I qetë megjithatë për të parë se kush do të luajë në vend të Alonsos duhet të prisni të Shtunën pasi vendimin do ta marr vetëm pak para ndeshjes”.
Prania e Cristiano Ronaldos në fushë tashmë është e sigurt dhe është vetë sulmuesi portugez që e konfirmon këtë gjë.

“Ndihem shumë mirë. Besoj se do të jem në 100% të formës time ditën e Shtunë. Askush nuk dëshiron të humbasë një finale mbi të gjitha kur kemi shumë vite që dëshirojmë të jemi aty”.
Ronaldo më pas u shfaq optimist dhe deklaroi se ai ka besim të madh se Reali do të triumfojë në “Da Luz”.

“Fitorja është diçka që e dëshirojnë të gjithë. Atletico ka besim dhe vjen me moral të lart në këtë sifdë pas fitores së La Ligas, megjithatë në një finale nuk mund të parashikohet asgjë. Shanset janë 50 me 50 por pavarësisht kësaj unë kam besim se do të jemi ne fitimtarët”.

Mbrojtësi i Realit, Sergio Ramos I pyetur për finalen ja kaloi topin kundërshtarëve teksa deklaroi se është Atletico favoritja në këtë përballje pasi janë ata kampionët e Spanjës. Gjithsesi Ramos shtoi se të gjithë te Reali janë të lumtur që kanë mbrritur deri këtu dhe skuadra do të japë maksimum për bërë të sajin trofeun e 10-të të Uefa Champions League ose siç quajnë ata La Deciman./ Supersport/

Exit mobile version