Site icon PORTALB

Pajtimi i pushtetit dhe opozitës, mision i vështirë i Pendarovskit

Presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski

Presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski

Procesi i pajtimit mes pushtetit dhe opozitës është një nga gjeneratorët që dikton procesin e përmbushjes së reformave, me këtë dhe hapjen e dyerve të Bashkimit Evropian për Maqedoninë e Veriut, theksojnë njohësit e çështjeve pulitke.

Këto komente vijnë pas zotimit të presidentit të ri të shtetit Stevo Pendarovski se angazhimi i tij parësor do të jetë pajtimi kombëtar dhe zhbërja e hendekut mes pushtetit dhe opozitës për çështjet që kanë të bëjnë me interesat e shtetit.

Njohësi i çështjeve politike Petar Arsovski, për Radion Evropa e Lirë thotë se procesi i integrimeve paraqet pikën e vetme të kryqëzimit të interesave të pushtetit dhe opozitës, megjithëse shton se realizimi i reformave që kërkohen nga Brukseli nga të dyja palët shikohen nga qasje krejtësisht të ndryshme.

Besa Kadriu, ligjëruese e shkencave politike në Universitetin e Evropës juglindore në Tetovë, thotë se pavarësisht se agjenda evropiane është pika që lidhë angazhimin e pushtetit dhe opozitës, forma se si shihet realizimi i reformave paraqet një hendek të thellë.

Kadriu megjithatë shton se edhe këtij angazhimi të Presidencës do t’i duhet ndihma e faktorit ndërkombëtar.

Ndryshe, presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, menjëherë pas marrjes së detyrës është zotuar se do të luftojë kundër ndasive në shoqëri, se do t’i mbrojë të drejtat e pakicës politike dhe se në mënyrë maksimale do të angazhohet për përfundimin e anëtarësimit të plotfuqishëm të vendit në BE dhe NATO.

Presidenti i ri i shtetit ka theksuar se rreth integrimeve euroatlantike në nivel retorik ekziston pajtim i plotë midis subjekteve relevante politike, megjithatë modalitetet për realizimin e tyre në të cilat ata besojmë janë të ndryshme dhe ka ndasi të thella.

Ideja e pajtimit kombëtarë më herët u promovua nga ana e kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev, pas çka pasoi amnistia e deputetëve të akuzuar të opozitës maqedonase për ngjarjet e dhunshme të 27 prillit në parlamentin e Maqedonisë së Veriut.

Exit mobile version