Site icon PORTALB

Maqedonia vend i jo-tolerancës dhe mono-etnisë

Foto nga konferenca e sotme

Foto nga konferenca e sotme

Në Maqedoni zhvillohen projekte mono-etnike të cilat lartësojnë një etnitet ndërsa nëpërkëmbin të tjerët. Shkupi 2014 është projekt tipik që tregon për mospërfilljen e asnjë nacionaliteti të tjetër pos të maqedonasve. Këtë e tregojnë rezultatet e hulumtimit dy vjeçar të politikave kulturore dhe instrumenteve të saj në Maqedoni dhe në Ballkan si dhe analizës juridike të projekteve të Bashkimit Evropian që kanë të bëjnë me dialogun ndërkulturor dhe diversitetin kulturor, të prezantuara sot në konferencën “Kulturologjia” në Shkup.

“Në Maqedoni ekzistojnë paralelizma në jetën reale dhe në politikën publike. Në dokumentet shtetërore në strategjinë ministrisë së kulturës 2013-2017 shkruhet se ka qasje serioze ndaj dialogut dhe zhvillimit ndër-kulturor, por në realitet kemi një botë paralele e cila nuk përputhet me atë strategji. Kemi një paralelizëm të plotë, realiteti që po na ndodh, si për shembull projekti i Shkupit 2014, tregon mono-etni, jo-transparencë, lartësim të një etnie, mos përfillje të të gjithë banorëve. Këto janë të dhëna të fituara nga analiza serioze e dokumenteve dhe strategjive shtetërore. Nuk ekziston politikë eksplicite dhe koherente në Maqedoni e cila ka të bëjë me dallimet kulturore në vend.” tha drejtoresha e Qendrës për arte “Multimedia” në Shkup, Violeta Simjanovska.

Ajo theksoi se në Maqedoni kryesisht në nivel deklarativ ratifikohen deklaratat ndërkombëtare ndërsa realisht shumë pak zbatohet ajo për të cilën zotohen.

“Kroacia është në BE prandaj ky vend ka qasje më të mirë si në aspektin legjislativ ashtu edhe në zbatimin e tij për dallim nga vendet ballkanike.” tha Violeta Simjanovska.

Gottfried Wagner : Maqedonia të ketë kujdes me historinë
“Maqedonia është shtet i ri. Duhet të jetë shumë e kujdesshme sa i përket shfrytëzimit të historisë për të krijuar njëfarë shoqëri të rreme, e as mos ti akuzojë të tjerët se shfrytëzojnë historinë për qëllime të ngjashme. Jo vetëm Ballkani Perëndimor por e gjithë Evropa ballafaqohet me ksenofobi, racizëm dhe mos-inkluzion social. Ka shumë ngjashmëri mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve evropiane, sa i përket jo-barazisë dhe vobektësisë, posaçërisht në atë se politikanët i përdorin dy të parat për ti prezantuar para popullit si ‘një e keqe e madhe’ të cilën e ka kultura tjetër. “ tha përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, drejtoria e kulturës, Gottfried Wagner.


Gjyner Ismail: Në Maqedoni, kultura përdoret si element për të robëruar
“Jetojmë në Maqedoni i cili është vend ku ka të burgosur politik, gazetarët të burgosur për tekste të shkruara, këtu liria e të shprehurit është shtypur. Këto tetë vitet e fundit Maqedonia sipas të gjitha raporteve relevante në sferën e lirisë, ka shënuar zbrapsje me shpejtësinë e dritës. Jemi dëshmitarë si shkatërrohet arkitektura e vendit ndërsa kultura përdoret si element për të robëruar për të okupuar. Neve na vjen turp nga vizitorët kur e shohin atë që është ndërtuar në sheshin e Shkupit” tha Gjyner Ismail nga OJQ Forum. 

Konferenca vazhdon edhe nesër ndërsa Portalb e ka përkrahur medialisht konferencën në fjalë. /Portalb

Exit mobile version