Site icon PORTALB

Francë, artistët në krah të “jelekverdhëve”

Jelekverdhët

Jelekverdhët, foto arkiv

Në Paris, grupe artistësh marshuan me një pankartë gjigande ku shkruhej “Ne nuk jemi budallenj”, duke iu bashkuar protestuesve të mobilizuar për të shtunën e 25 me radhë.

Më herët, tek rubrika e opinioneve në faqen “online” të gazetës “Liberation”, aktorë me famë ndërkombëtare si Juliette Binoche dhe Emmaunelle Béart, shkrimtarë përfshirë Édouard Louis dhe Annie Ernaux, si dhe 1 400 figura të tjera botërore i dhanë përmes një letre të hapur mbështetjen e tyre një lëvizjeje, të cilën, siç theksuan ata, autoritetet po përpiqen ta diskretitojnë, transmeton Top Channel.

Producenti Christian Pfohl tha: “Ne nuk jemi të shkëputur nga këta njerëz, ne jemi pjesë e tyre. Prandaj dhe ne apelin që kemi lëshuar theksohet se “ne jemi protestues jelekverdhë”.

“Ne deshëm të bëjmë një gjest publik, deshëm ta bëjmë këtë për jelekët e verdhë. Pamë njerëz të qanin kur lexuan letrën tonë, njerëz që ishin prekur vërtet shumë prej saj; teksti po shpërndahet gjithandej dhe atyre u nevojitej një gjë e tillë”, shton producenti.

Me mijëra protestues morën pjesë në marshime anembanë vendit, sipas Ministrisë së Brendshme franceze. Në Lion u raportuan dhe disa përplasje të vogla me policinë. Forcat e rendit mësohet të kenë përdorur gazin lotsjellës në La Roche-sur-Yon, ku tubimet në qendrën e qytetit ishin ndaluar.

Exit mobile version