Site icon PORTALB

RMV, i mituri ka futur kushërirën me dhunë në martesë për 1600 euro

Ilustrim

Për shkak të dyshimit se kanë realizuar martesë me dhunë në kundërvlerë prej 1600 euro të një vajze 15-vjeçare, Gjykata Themelore Shkupi 1 ka parashtruar paraburgim për bashkëshortin pretendent, ndërkaq për kushëririn e mitur masë të kujdesit, transmeton Portalb.mk.

Që të dy personat dyshohen se kanë kryer veprën penale “tregtim me fëmijë”, i parashikuar dhe i dënueshëm në bazë të nenit 418-g në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal. Nga PTHP-ja njoftojnë se rasti ka ndodhur në fshatin Buçim të Radovishit, gjatë muajit prill të 2019-s, ndërkaq ndaj 15-vjeçares është ushtruar dhunë fizike dhe është bërë përpjekje për përdhunim.

“Gjatë muajit prill të këtij viti, në fshatin Buçim të Radovishit, i dyshuari i parë, i cili është i mitur, me përdorim të forcës, mashtrimit dhe shtrëngimit, duke e përdorur pafuqinë e viktimës, e ka futur kushërirën e saj 15-vjeçare në martesë me dhunë. Ai, bashkë me të dyshuarin e dytë, i cili ka pasur njohuri për moshën e vajzës, më parë janë marrë vesh për shumën prej 1600 euro që t’ia sjellë kushërirën. Më datë 17 të muajit të kaluar, i dyshuari i parë e ka marrë vajzën dhe e ka dërguar në vendin e dakorduar, ku i dyshuari i dytë e ka dërguar shumën e kërkuar dhe e ka marrë me vete vajzën, e cila ka shprehur rezistencë, ndaj të cilët ka ushtruar dhunë fizike, dhunë psikologjike dhe tentativë për përdhunim”, thuhet në njoftimin e PTHP-së.

Vajza e ka shfrytëzuar rastin, dhe ka ikur, është paraqitur te familjarët, të cilët më pas e kanë paraqitur rastin në Stacionin Policor të Radovishit.

Exit mobile version