IPE: Pavarësisht reformave të pamjaftueshme në administratë, RMV meriton datë për negociata me BE-në

Sido që të jetë gjendja me reformat në administratë, Maqedonia e Veriut duhet që ta fitojë rekomandimin vetëm për zgjidhjen e kontestit me Greqinë, ndërkaq vendet anëtare nuk duhet të gjejnë arsyetime. Kështu deklarojnë për Portalb.mk, nga Instituti për Politika Evropiane (IPE) në lidhje me procesin e reformave në administratë në prag të pritjes së marrjes së rekomandimit për fillimin e negociatave hyrëse me Bashkimin Evropian, njofton Portalb.mk.

“Pritjet e BE-së dhe pritjet e votuesve nga reformat në administratën publike kanë qenë drejtpërdrejt të ndeshura, derisa votuesit kanë pritur ndryshime të dukshme dhe “ajrosje”. BE ka pritur rezultate pa demontim të aparatit partiak klientelistik. Gjetja e një rruge të mesme mes këtyre pritjeve, është treguar se është jo-efektiv”, thonë nga IPE.

Siç thonë ata, për qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk kanë qenë të mjaftueshme reformat e bëra në administratën publike.

“Gjendja mund të përshkruhet me frazën e njohur “gota gjysmë e mbushur ose gjysmë e zbrazur”, varet se si shihen gjërat. Në çdo rast, për BE-në mund të jetë e mjaftueshme, por për ne brenda nuk është. Duhet që të sigurohet administratë e cila do t’i trajtojë të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë dhe të punojnë në mënyrë efikase, kjo është lehtë për t’u thënë, por dukshëm rëndë që të arrihet në praktikë”, thonë nga IPE.

Sipas tyre, pushteti nuk ka kohë që deri në marrjen e datës ta departizojë dhe profesionaliziojë administratën, si dhe të vendos sistem të meritokracisë.

Nga reformat në administratë janë shprehur të zhgënjyer edhe nga OJQ “Eurothink”, të cilët thanë se gjendja aktuale nga aspekti i punësimeve është po e njëjta me të kaluarën – në administratë publike mund të punësohesh vetëm nëse ke librezë të partisë që është në pushtet.

“Gjithçka është e njëjtë si më parë. Shumë masa janë paraparë, por nuk janë zbatuar. Asgjë nuk ka ndryshuar në drejtim të departizimit të administratës publike, vetëm aktorët janë ndërruar. Të gjithë ata që i njoh që janë punësuar në administratën publike, të gjithë janë punësuar nëpërmjet partisë, unë nuk njoh asnjë që është punësuar pa partinë, diçka e tillë nuk ekziston”, deklaroi për Portalb.mkZorica Strezoska nga Eurothink.

Në një linjë janë edhe qytetarët, të cilët nëpërmjet një ankete, në krahasim me vitin 2017-të, edhe tani pas dy viteve nuk e kanë ndërruar mendimin – në administratë publike punësohesh me librezë partiake, ndërkaq partitë politike e keqpërdorin administratën publike.

Ndryshe, përbërjes aktuale qeveritare i ka mbetur edhe gjysma e mandatit të rregullt, gjegjësisht edhe 2 vite, për të realizuar premtimin për departizim të administratës publike, e cila ka qenë dhe është në shënjestër të kritikave se është foleja e punësimit të militantëve partiak, të cilët “rehatohen” në këmbim të aktiviteteve të tyre partiake. Për këtë kemi dëgjuar dhe në “bombat” e publikuara nga LSDM-ja në vitin 2015-të kur dëgjoheshte se si funksionarët i organizonin të punësuarit në administratë që të dalin në protesta, por edhe të votojnë. Në raportet e Komisionit Evropian, vazhdimisht është theksuar nevoja për të ndaluar me punësime partiake, gjegjësisht pa kritere përkatëse për pranim. Ky është njëri ndër kushtet kryesore që Maqedonia e Veriut t’i filloi negociatat e anëtarësimit në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button