MSHIA nuk ka kohë që deri në fund të mandatit ta departizojë administratën publike

Qeveria me të cilën udhëheq kryeministri Zoran Zaev, nuk do të ketë kohë që deri në fund të mandatit të saj ta departizojë administratën publike. Gjendja aktuale nga aspekti i punësimeve është po e njëjta me të kaluarën – në administratë publike mund të punësohesh vetëm nëse ke librezë të partisë që është në pushtet, shkruan Portalb.mk.

“Gjithçka është e njëjtë si më parë. Shumë masa janë paraparë, por nuk janë zbatuar. Asgjë nuk ka ndryshuar në drejtim të departizimit të administratës publike, vetëm aktorët janë ndërruar. Të gjithë ata që i njoh që janë punësuar në administratën publike, të gjithë janë punësuar nëpërmjet partisë, unë nuk njoh asnjë që është punësuar pa partinë, diçka e tillë nuk ekziston”, deklaroi për Portalb.mk, Zorica Strezoska nga Eurothink.

Administratë, sportel, foto: Borçe Popovski, "Koletkif.mk"
Administratë, sportel, foto: Borçe Popovski, “Koletkif.mk”

Ajo shtoi se Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, nuk ka kohë që ta departizojë administratën publike, por ka kohë për të ndërmarrë masa tjera.

“Për departizim të administratës publike s’ka kohë deri në fund të mandatit. Nuk ka kohë që të realizohet e gjithë ajo që është premtuar, por ka kohë për hapa të caktuar dhe të fillohet në mënyrë stabile, të sigurt dhe transparente. Të dihet se kush dhe pse punësohen dhe të vendosen parime të punësimit, jo të punësohen të dëgjuarit e partisë, por në bazë të një liste të kualifikimeve të dëshmohet se ai/ajo ka hyrë në punë”, shtoi Strezoska.

Në një linjë janë edhe qytetarët, të cilët nëpërmjet një ankete, në krahasim me vitin 2017-të, edhe tani pas dy viteve nuk e kanë ndërruar mendimin – në administratë publike punësohesh me librezë partiake, ndërkaq partitë politike e keqpërdorin administratën publike.

73.8% e qytetarëve pajtohen se libreza partiane “mbaron punë” për t’u punësuar, në administratën publike, numër i cili është rritur për 3.1% në krahasim me vitin 2017-të. Për dallim nga këta, vetëm 10.4% e qytetarëve thonë se nuk pajtohen me këtë konstatim.

74.2% e qytetarëve e qytetarëve thonë se partitë politike e keqpërdorin administratën publike, ky qëndrim në krahasim me vitin 2017-të është rritur për 0.1%. Për dallim prej tyre, vetëm 11% e qytetarëve mendojnë se partitë nuk i keqpërdorin të punësuarit.

Në lidhje me këtë anketë, nga MSHIA për Portalb.mkthonë se edhe përskaj reformave në administratën publike, të cilat janë zbatuar gjatë një viti e gjysmë, perceptimi i opinionit për administratën publike rëndë ndryshohet.

“Konfirmim për atë janë edhe të dhënat nga analiza që tregojnë se në parim qëndrimet e tyre nuk bazohen në përvojat e tyre personale, pasi që përvojat e tyre personale janë pozitive. Gjegjësisht, në pyetjen nëse personalisht keni hasur në problem gjatë shfrytëzimit të shërbimeve, për 10% është rritur përqindja e qytetarëve që nuk kanë hasur në problem gjatë vitit 2019-të, krahasuar me vitin 2017-të”, thonë nga MSHIA, duke shtuar se tërë këto vite edhe nga sektori joqeveritar dhe nga mediat, në mënyrë të gabuar i përmendin termat “administrata publike” dhe “sektori publik”.

Ndryshe, përbërjes aktuale qeveritare i ka mbetur edhe gjysma e mandatit të rregullt, gjegjësisht edhe 2 vite, për të realizuar premtimin për departizim të administratës publike, e cila ka qenë dhe është në shënjestër të kritikave se është foleja e punësimit të militantëve partiak, të cilët “rehatohen” në këmbim të aktiviteteve të tyre partiake. Për këtë kemi dëgjuar dhe në “bombat” e publikuara nga LSDM-ja në vitin 2015-të kur dëgjoheshte se si funksionarët i organizonin të punësuarit në administratë që të dalin në protesta, por edhe të votojnë. Në raportet e Komisionit Evropian, vazhdimisht është theksuar nevoja për të ndaluar me punësime partiake, gjegjësisht pa kritere përkatëse për pranim. Ky është njëri ndër kushtet kryesore që Maqedonia e Veriut t’i filloi negociatat e anëtarësimit në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button