Moskë: Raporti i Muellerit nuk kishte argumente për ndërhyrjen ruse në zgjedhje

Ministria e Jashtme ruse tha se raporti i këshilltarit të posaçëm Robert Mueller ka “pranuar se nuk kishte prova” për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016, njofton REL.

“Nuk kishte asgjë në raport për të tërhequr vëmendjen, në fakt raporti konfirmon mungesën e ndonjë argumenti që dëshmon ndërhyrjen e supozuar të Rusisë në zgjedhjet amerikane”, tha Georgy Borisenko, zyrtar në ministrinë e Jashtme të Rusisë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov më 19 prill, gjithashtu hodhi poshtë provat në raportin e Muellerit, duke thënë se Kremlini nuk pranon akuzat për ndërhyrje.

“Raporti në tërësi nuk paraqet ndonjë provë të arsyeshme që Rusia ndërhyri në procesin zgjedhor në Shtetet e Bashkuara,” u tha Peskov gazetarëve në Moskë një ditë pas publikimit të një version të redaktuar të dokumentit.

“Na vjen keq që dokumentet e këtij lloji po ndikojnë drejtpërdrejtë në zhvillimin e marrëdhënieve ruso-amerikane, të cilat edhe ashtu lënë shumë për të dëshiruar”, tha Peskov.

Të enjten Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr , gjatë publikimit të versionit të redaktuar të raportit, tha se hetimet e Muellerit kanë gjetur të dhëna se Rusia ka tentuar të ndërhyjë në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA.

Mueller konfirmoi gjetjet e inteligjencës amerikane se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 që i ka fituar Trump dhe dokumentoi përpjekjet e presidentit për të minuar hetimin e tij. Por, Mueller nuk tha se Trump ka bashkëpunuar me zyrtarët rusë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button