Site icon PORTALB

A mundet Blerim Reka të kalojë në rundin e dytë?

Robert Nesimi

Robert Nesimi

Në zgjedhjet presidenciale të këtij viti mendoj se kandidatura e Blerim Rekës duhet më tepër të shihet si kualitative se kuantitative. Shqiptarët kanë ofruar një kandidat të përgatitur dhe pyetja e vërtetë këtë herë parashtrohet para votuesve maqedonas. A janë ata të gatshëm të tejkalojnë barrierat etnike siç bënë shqiptarët në vitin 2016, apo përsëri do të gjejnë ndonjë arsyetim për të mos votuar shqiptarin, siç bëjnë zakonisht me floskula të tipit “nuk keni kuadro të mira”.

Megjithatë shumëkujt i interesojnë edhe numrat, pasi argumenti kryesor i partive shqiptare në pushtet sot është se shqiptari nuk ka gjasa të kalojë në rundin e dytë. Ky qëndrim duhej hedhur poshtë qëmoti, sepse fakti që maqedonasit nuk do të votojnë shqiptarin nuk është arsye që shqiptarët të votojnë kandidat maqedonas. Përkundrazi kjo duhej të jetë shtysë mu për mbështetjen e Rekës. Sidoqoftë ngelet e hapur pyetja nëse kandidati shqiptar mundet të kalojë në rundin e dytë.

Për mendimin tim në rrethanat e sotme kjo është e vështirë, por jo e pamundshme. Që Blerim Reka të kalojë në rundin e dytë duhet të ndodhin këto tre gjëra:

1 – Atë duhet t’a votojnë masovikisht të gjithë shqiptarët

2 – T’a votojë një pjesë e bashkësive më të vogla etnike, si turqit, torbeshët e të tjerë

3 – Të ketë garë të pabarabartë te kandidatët maqedonas

T’i marrim të tre parametrat me rradhë.

  1. Në zgjedhjet parlamentare 2016 në votime dolën rreth 250.000 shqiptarë. Në zgjedhjet lokale pas një viti dalja ishte më e dobët dhe arriti vetëm rreth 210-220.000 shqiptarë. Nëqoftëse shqiptarët përsëri mobilizohen si në vitin 2016 dhe të gjithë votojnë Blerim Rekën, ai do të fillojë garën me 250.000 vota.
  2. Kontigjenti i bashkësive më të vogla etnike si turqit, torbeshët e të tjerë arrin rreth 50.000 vota. Një numër bukur i madh i tyre në vitin 2009 votuan Imer Selmanin, që do të thotë se ata mund të jenë të hapur që këtë rradhë të votojnë për Blerim Rekën. Faktor kyç këtu do të jetë presioni nga partitë e tyre; nëse ato do t’i bindin të votojnë Pendarovskin ose Siljanovskën, apo do t’i lënë të votojnë të lirë sipas bindjeve të tyre.
  3. Faktori i tretë është poaq i rëndësishëm. Nëse kandidatët maqedonas kanë mbështetje sado kudo të barabartë, atëherë ata mund të llogarisin në rreth 350.000 vota secili dhe misioni i kandidatit shqiptar bëhet i pamundshëm.

Por gjithçka ndryshon nëse gara është e pabarabartë. Për shembull në vitin 2009 Lubomir Frçkovski fitoi vetëm 202.000 vota në rundin e parë. Është e vërtetë se në rrethin e parë pati më tepër kandidatë, por edhe në rundin e dytë kur mbeti vetëm në garë me Ivanovin ai fitoi vetëm 260.000 vota.

Nëse VMRO është vërtetë e dobët siç pretendohet, ose nëse Siljanovskën e bojkotojnë vetë anëtarët e saj siç përflitet, pra nëse ajo ka mbështetje të ngjashme me Frçkovskin e vitit 2009, atëherë rezultati i saj bëhet tejet i kapshëm. Me mobilizim total të shqiptarëve dhe pak mbështetje nga bashkësitë tjera etnike, ose pak vota nga votuesit maqedonas, Blerim Reka mund të kalojë në rrethin e dytë.

Por më duhet të them se personalisht jam pesimist për këtë variant. Problemi kryesor është se disa parti shqiptare mbështesin kandidatë maqedonas dhe kandidatit shqiptar i bllokohet rruga që në start nga vetë shqiptarët. Problem tjetër është se anketat megjithatë tregojnë garë të barabartë mes SDSM-së e VMRO-së.

Si konkluzion pra mund të themi se kalimi i Rekës në rundin e dytë nuk është i pamundshëm, por është tejet i vështirë. Dhe për këtë fajin kryesisht do t’a kenë vetë shqiptarët.

Exit mobile version