Site icon PORTALB

Gjermani, mbi 460 neonazistë të pakapshëm për autoritetet

Flamuri gjerman, ilustrim

Gjithsej 467 neonazistë me urdhër për arrestimin e tyre kërkohen nga autoritetet në Gjermani, njoftoi policia e vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të agjencisë gjermane të lajmeve DPA, Departamenti Federal i Krimeve tha se urdhëri për arrestimin e tyre nuk mund të ekzekutohet, pasi nuk dihet lokacioni i ekstremistëve të djathtë në fjalë.

Policia tha se rreth 600 fletëarrestime janë lëshuar për 467 personat e kërkuar, për të cilët është alarmuar se mund të përfshihen në akte të dhunës.

Nga personat në fjalë, 12 kërkohen për akte të dhunës me motive të djathta ekstreme, kurse 98 për krime politike. Ndërkaq, personat e tjerë kërkohen për mashtrim, vjedhje dhe ofendim.

Siç bëhet e ditur, numri i ekstremistëve të djathtë të kërkuar nga policia katër vite më parë ka qenë 253.

Muajin e ardhshëm, Departamenti Federal i Krimeve pritet të shpalosë të dhëna të reja për gjashtë muajt e fundit.

Exit mobile version