Site icon PORTALB

Meta: Hiqni dorë nga përdorimi i forcës, duhet dialog dhe zgjidhje politike

Kryetari i Shqipërisë, Ilir Meta

Gjatë vizitës së tij në qytetin bregdetar të Durrësit, ku mori pjesë në homazhet për 80-vjetorin e fillimit të rezistencës antifashiste, Presidenti Meta nuk la pa komentuar as situatën politike në vend.

I pyetur nga gazetarët e pranishëm në lidhje me aktualitetin politik ku vijojnë protestat në rrugë dhe zëvendësimet ne parlament, Meta theksoi sërish se pret që zgjidhja të vijë përmes dialogut mes palëve.

“Unë besoj vetëm te dialogu dhe vetëm te zgjidhja politike përmes një dialogu të përgjegjshëm dhe real për të rivendosur normalitetin e plotë kushtetues, institucional dhe demokratik të vendit. Besoj se pas vitit 1997 vendi ka bërë përparime të rëndësishme dhe i nxis e i inkurajoj të gjithë politikanët e përgjegjshëm kudo ku ata ndodhen, në mazhorancë apo në opozitë, të tregojnë që në këto 22 vite Shqipëria jo vetëm ka bërë përparime, por që edhe këto 22 vite nuk mund të shkojnë dëm për hir të kokëfortësive dhe të demonstrimeve të forcës përmes mitingjeve, dhe antimitingjeve të panevojshme. Aq më tepër që jemi edhe në prag të sezonit turistik, që dihet se është aq i rëndësishëm jo vetëm për Durrësin, por edhe tërë Shqipërinë dhe për ekonominë tonë. Kështu që unë besoj se ka një hapësirë të gjerë për të gjetur zgjidhjet e duhura dhe secili të reflektojë”, tha Meta.

Kohët e fundit është folur shpesh për një rol ndërmjetësues të presidentit, në dialogun mes palëve, por vetë meta theksoi se së pari duhet që të tregohet vullnet real për të hequr dorë nga forca dhe për t’u ulur në tryezë, duke vënë theksin mbi interesin e përbashkët, shkruan Top Channel.

“Besoj se është detyrë e tyre që të tregojnë vullnet real për dialog dhe të heqin dorë nga përdorimi i forcës si dhe të udhëhiqen vetëm nga arsyeja dhe interesi i përbashkët”, tha presidenti Meta.

Exit mobile version