Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në mënyrë aktive do të merr pjesë në fushatën zgjedhore të zgjedhjeve presidenciale, por edhe për zgjedhjet lokale për kryetarin e Komunës së Dibrës, ku kanë kandidatin e tyre. Nga BDI sot informuan se përveç shtabit qendror në Shkup, do të jenë të hapura edhe mbi 30 shtabe komunale të BDI-së në shtet, transmeton Portalb.mk.
“Jemi të mobilizuar, duke e përfshirë edhe udhëheqësinë e partisë. BDI sot ka përfaqësuesin partiak në të gjitha nivelet, mijëra aktivistë. Në çdo vendbanim do të përcjellim përcaktimin tonë, BDI është e përcaktuar për kapacitetin për NATO, për BE, për president të përbashkët koncesual”, tha Arbër Ademi nga BDI.
Ai shtoi se aktivitetet e BDI-së përfshijnë takime direkte me qytetarët nga shtëpia në shtëpi.
“Vetëm kështu mund të theksohet se rruga drejt NATO-s dhe BE-së është vendosur dhe nuk mund të ndërpritet”, tha Ademi.
BDI sot i ka hapur shtabet zgjedhore në Saraj, Butel dhe Studeniçan. Fushatën zgjedhore zyrtarisht e filloi në Dibër, ndërsa atje edhe do ta mbarojë.