Site icon PORTALB

Deponia e vogël me lindan te OHIS-i do të pastrohet në vjeshtë, kompaninë do të zgjedhin Kombet e Bashkuara

Brenda një muaji do përfundojë dokumentacioni i tenderit, e pastaj do të shpallet konkurs ndërkombëtar nga organizata e Kombeve të Bashkuara – UNIDO për të zgjedhur kompaninë dhe teknologjinë për heqjen e lindanit të depozituar në deponinë e vogël në oborrin e fabrikës OHIS, e cila përmban rreth 10 mijë ton të kimikatit të rrezikshëm, njoftoi sot Suzana Andonova, kreu i Zyrës për ndotësit e qëndrueshëm organikë (NQO) në kuadër të Ministrisë së mjedisit jetësor, në punëtorinë informative, e cila u organizua së bashku me Shoqërinë ekologjike të Maqedonisë (SHEM), njofton Meta, transmeton Portalb.mk.

Sipas Andonovskës, deri në fund të qershorit do të jetë e njohur kompania e cila do të realizojë dekontaminimin e lokacionit të vogël dhe shprehu shpresën që ky proces do të dëshmojë se teknologjia e zgjedhur do të mund pastaj të aplikohet për të pastruar edhe deponinë e madhe te lindanit, e cila vlerësohet se ka rreth 35-40 mijë ton. Firma e zgjedhur do ta ketë për obligim ta mbulojë dhe të bëjë mbrojtje adekuate edhe të deponisë së madhe.

“Nuk ishte e lehtë të mobilizohen resurse dhe njerëz për të filluar procesin e dekontaminimit në pikën e nxehtë te OHIS-i”, tha Andonovska, duke shtuar se paratë për dekontaminimin e deponisë së vogël, që kapin shumën prej 3.1 milionë dollarë, tashmë janë siguruar.

Sipas skenarit optimist, pastrimi mund të fillojë këtë vjeshtë. Andonovska  njëkohësisht shpjegoi se, sipas parashikimeve, toka më pak e kontaminuar do të trajtohet në vend, ndërsa një sasi e caktuar e kontaminuar do të duhet të hiqet dhe do të transportohet jashtë vendit, që të shkatërrohet në kapacitete përkatëse.

Andonovska paralajmëroi edhe ndryshime, të cilat së shpejti do të bëhen në Ligjin për mjedisin jetësor, në të cilin do të inkorporohen vlerat kufitare të ndotjes së tokës, ajrit dhe ujërave, vlera që janë të domosdoshme për realizimin e procesit të dekontaminimit dhe rehabilitimit siç është ky me lindanin në OHIS.

“Janë të njohura faktet që lindani, i deponuar në rrethin e OHIS-it, me dekada i ka ndotur qytetarët e Shkupit përmes ajrit, duke e ndotur edhe tokën e ujërat nëntokësore, duke u transmetuar kështu edhe në perimet që kultivohen dhe në atë mënyrë shpërndahet edhe më gjerë. Nuk është bërë asnjë hulumtim për mënyrën se si ekspozimi, ndaj këtij kimikati të rrezikshëm, ndikon në shëndetin e njeriut. Nevojitet bio-monitorim sepse nuk e dimë se si lindani ndikon mbi shëndetin e njeriut “, tha Svetlana Pejoviq nga SHEM.

SHEM ka realizuar një hulumtim për atë se sa banorët e tre komunave më të prekura të Shkupit – Aerodromi, Kisella Voda dhe Gazi Baba janë të njoftuar me rreziqet nga ekzistenca e deponive lindan në rrethinën e tyre.

“Gjysma e qytetarëve, me të cilët e realizuam anketën në përgjithësi janë të informuar për lindanin, për atë se sa i rrezikshëm është dhe ku është depozituar, por në anën tjetër është e qartë se popullata më e re s’ka pothuajse kurrfarë njohuri”, tha Pejoviq, duke theksuar se ata vazhdojnë të realizojnë punëtori dhe tubime tjera informative, për të informuar saktë popullatën rreth rrezikut nga lindani dhe për procesin e pastrimit të tij.

Exit mobile version