ANALIZË: Mospagesë e tatimeve, llogaritje e gabuar e rrogave – revizioni në komunën e Haraçinës

Nuk janë lëshuar vendime për pagesën e tatimit në pronë dhe taksave komunale për kompanitë, nuk janë realizuar të ardhura nga taksat komunale për përdorimin e muzikës në vende publike dhe reklama, nuk është bërë rebalanc i buxhetit për vitin 2017, megjithëse ka pasur devijime të mëdha në mes të hyrave dhe shpenzimeve të planifikuara dhe të realizuara, inventarizim joadekuat i borxheve ndaj komunës, shpenzim i pakontrolluar i parave për karburante dhe llogari të telefonave – këto janë vetëm një pjesë e gjetjeve në raportet e publikuara të revizionit lidhur me punën financiare dhe menaxhimin e komunës së Haraçinës për vitin 2017. Personat përgjegjës për gjetjet në raport janë kryetarët e komunës, Brahim Ajvazi dhe Milikie Halimi, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Si është mbushur dhe shpenzuar buxheti komunal…

Në komunën e Haraçinës nuk ekziston sistem i kontrollit të brendshëm financiar, i cili është i rëndësishëm për mbledhjen e të ardhurave buxhetore dhe menaxhimin e shpenzimeve. Revizorët vërejnë një sërë dobësish në këtë segment, duke përfshirë numrin e pamjaftueshëm të punonjësve, por edhe udhëheqës të paemëruar të disa sektorëve në administratën komunale.

“Në njësinë për çështje të përgjithshme, juridike-normative dhe financiare nuk ka asnjë punonjës, ndërsa aktivitetet e kontabiliteti të komunës kryhen nga një person i jashtëm i angazhuar me kontratë në vepër. Kontrollet që nuk janë vendosur paraqesin rrezik për konstatim jo të plotë dhe jo në kohë të tatimeve dhe të taksave dhe mbledhjen e tyre si dhe rrezik për shpenzimeve joadekuat dhe të paligjshëm të parave të buxhetit”  – thuhet në raportin e revizionit dhe rekomandohet që kryetari i komunës të ndërmarrë aktivitete për ekipimin kadrovik të njësive në përputhje me Rregulloren për sistematizimin e vendeve të punës, si dhe të ndërmarrë masa për krijimin e sistemit adekuat për kontroll. Kështu, revizorët rekomandojnë:

“Të futet në përdorim sistemi me nënshkrim të dyfishtë, që do të thotë elementet financiare dhe operative të çdo aktiviteti të verifikohen nga dy individë të pavarur nga njëri tjetri.”

Në vitin 2017, revizorët konstatuan një rënie të konsiderueshme edhe në anën e të ardhurave edhe në atë të shpenzimeve të buxhetit komunal, me ç’rast të ardhurat e planifikuara janë realizuar vetëm me 62%, ndërsa shpenzimet e parashikuara me 59%.

“Devijimi i konsiderueshëm nga të hyrat e realizuara në raport me të ardhurat e planifikuara është si rezultat i të hyrave nga tatimi në pronë, që janë realizuar vetëm me 58%, tatimeve për shërbimet specifike të realizuara me vetëm 48%, ndërsa te të ardhurat nga taksat për shfrytëzim ose lejet për kryerjen e veprimtarisë dhe shitja e tokës dhe investimet jomateriale, realizimi është 0%”- shkruan në raportin e revizionit dhe theksohet se nuk është bërë rebalanci i buxhetit në përputhje me rregullativën ligjore.

Përveç kësaj, revizorët konstatojnë:

“Komuna nuk ka lëshuar vendime për t’i obliguar ta paguajnë tatimin në pronë tatimpaguesit – persona fizikë dhe juridikë, në përputhje me dispozitat e Ligjit për tatimin në pronë. Komuna Haraçinës nuk ka krijuar një regjistër të tatimpaguesve në bazë të taksës komunale për firma dhe nuk ka lëshuar vendime për t’i obliguar firmat që ta paguajnë taksën komunale” – theksohet në raport, transmeton Portalb.mk.

Pagesat e rrogave, punësimet e përkohshme…

Në vitin 2017, Komuna e Haraçinës ka paguar pothuajse 57.000 euro për rroga dhe kompensime, ndërsa në komunë janë punësuar pesë nëpunës administrativë dhe tre persona ndihmës-teknikë. Revizorët i kanë inspektuar llogaritjet për rrogat dhe, ndër të tjera, kanë konstatuar këtë:

“Komuna nuk ka të miratuar Rregullore për përcaktimin e rrogave, shtesës së rrogave dhe kompensimeve të rrogave për punonjësit që kryejnë punë administrative-teknike dhe punë ndihmëse, ndërsa vendimet për punësim dhe për llogaritjen e rrogave nuk janë në pajtim me Ligjin për nëpunësit administrativë. Është konstatuar gabim në llogaritjen e rrogave për përvojën në punë. Për shkak të kësaj mënyre të llogaritjes së rrogave, në vitin 2017, punonjësve u janë paguar më pak para për përvojën në punë në vlerë prej 211.000 denarëve (3.400 euro), e me këtë janë paguar edhe më pak kontribute për sigurim social”.

Komuna gjithashtu ka angazhuar një person nëpërmjet Agjencisë për punësim të përkohshëm për të kryer punë administrative, gjë që sipas revizorëve nuk është në pajtim me rregullativën ligjore, e cilat përcakton me saktësi se në cilat raste mund të bëhen punësime të përkohshme. Përveç kësaj, për këta të punësuar komuna nuk ka pasur lista evidentuese për prezencën e tyre në punë, e as që janë dorëzuar raporte mujore për punët e kryera, transmeton Portalb.mk.

“Për shkak të gjendjes së këtillë me angazhimin e përkohshëm të punëtorëve, pa e evidentuar orarin e tyre të punës, pa raport të dorëzuar nga ana e tyre për punën e kryer gjatë muajit, revizori nuk mund të sigurohet për realitetin dhe objektivitetin e mjeteve të shpenzuara për këtë qëllim, e me këtë edhe për shpenzimin adekuat të mjeteve buxhetore” – konstaton revizori dhe zbulon se për angazhimin e përkohshëm të personave në vitin 2017 janë harxhuar rreth 16.500 euro.

Automjetet zyrtare me të cilat disponon komuna janë përdorur pa akt të brendshëm, me të cilin duhet të rregullohen kushtet dhe mënyra e përdorimit të tyre. Në vitin 2017, janë shpenzuar rreth 8.300 euro për karburante.

“Nuk përgatiten urdhëresa për shfrytëzimin e automjeteve zyrtare nga të cilat mund të konstatohet qëllimi për të cilin janë përdorur ato, gjegjësisht mungojnë të dhëna për veprimin zyrtar që kryhet, vendi i nisjes dhe të arritjes, kilometrat e kaluara, nënshkrimi i vozitësit dhe nënshkrimi i shfrytëzuesit. Revizioni gjithashtu konstaton se është vënë karburant edhe në automjetet që nuk janë në pronësi të komunës” – shkruan në mes tjerash në raportin e revizionit.

Pa akt të brendshëm që i rregullon kushtet për përdorimin e telefonave celularë zyrtarë, në vitin 2017 janë shpenzuar rreth 5.000 euro për shërbimet telefonike. Në të njëjtin vit, është paguar shuma e njëjtë në bazë të kontratës së nënshkruar për mirëmbajtjen e rrugëve dhe udhëve lokale në komunë gjatë stinës së dimrit.

“Revizioni konstaton se pagesa nuk është bërë në përputhje me nenin 3 të marrëveshjes, gjegjësisht ajo është kryer pa urdhëresa të punës dhe pa raporte për aktivitete të punës të kryera nga kontraktuesi” – thekson revizori.

Nën thjerrë është edhe furnizimi publik për rikonstruimin e një rruge në Haraçinë në vlerë prej  57.000 euro, ku janë identifikuar një sërë lëshimesh, duke përfshirë edhe kryerjen e punimeve pa leje ndërtimi. Shkelje u gjetën edhe gjatë furnizimit publik të pompave të ujit – kompresorëve dhe shpimit të katër puseve në fshatin Haraçinë, me vlerë prej 49.000 eurosh.

“Në vitin 2017, pa procedurë për furnizim publik, janë realizuar furnizime të mallrave dhe shërbimeve në vlerë të përgjithshme prej 94.000 eurosh” – theksojnë, ndër të tjera, revizorët.

Nga fundi i vitit 2018, në lidhje me të gjitha këto gjetje, është mbajtur një takim me kryetarët e komunës dhe personat përgjegjës në komunën e Haraçinës dhe në lidhje me Propozim-raportin e revizorëve nuk është dhënë asnjë vërejtje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button