Regjimi sirian ka kundërshtuar vendimin e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për njohjen e sovranitetit izraelit mbi Lartësitë e pushtuara të Golanit sirian, transmeton Anadolu Agency (AA).
Agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA citoi një burim të paidentifikuar të Ministrisë së Punëve të Jashtme, i cili vendimin e Trumpit e përshkroi si “një shkelje të ashpër të sovranitetit dhe unitetit të Republikës Arabe të Sirisë”.
I njëjti burim më tej pohoi se vendimi i Trumpit “konfirmon aleancën midis SHBA-ve dhe Izraelit kundër kombit arab”.
Sot më herët, Trump nënshkroi një deklaratë presidenciale gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, me anë të të cilës zyrtarisht njohu si territor të Izraelit lartësitë strategjike në kufirin me Sirinë.
Trump tha se territori i pushtuar është “një terren i mundshëm për nisjen e luftimeve kundër Izraelit”.
Izraeli gjatë kohë ka lobuar që SHBA-të të njohin kërkesën mbi Lartësitë e Golanit, por administratat e kaluara refuzuan thirrjet.
Shteti i vetëshpallur hebre i pushtoi Lartësitë e Golanit nga Siria gjatë luftës gjashtëditore të vitit 1967.
Izraeli ka pushtuar rreth dy të tretat e luginave më të gjera të Golanit dhe zyrtarisht i aneksoi në vitin 1981, një veprim i kundërshtuar njëzëri në atë kohë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.