Kryetari Gjorgje Ivanov në fillim të javës së ardhshme do të udhëtojë për në Bruksel për një vizitë treditore, ku do të takohet me përfaqësuesit më të lartë të BE-së dhe NATO-s.
Nga 3 deri në 5 shtator Ivanov do të takohet me kryetarin e Komisionit Evropian Herman Van Rompuj, me kryetarin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz, me Sekretarin gjeneral të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen dhe me Stefan Fyle, eurokomesari për zgjerimin e BE-së.
Në takimin me Fyle pritet të hapet tema rreth krizës në koalicionin qeveritar në Maqedoni dhe pritet që Fyle ta shprehë mendimin e tij dhe pritjet për një zgjidhje paqësore të këtij problemi.
I vetmi përfaqësues të cilin kryetari Ivanov nuk do ta takojë është njeriu i parë i Komisionit evropian, Jose Manuel Barosso, për shkak të agjendës së tij të stërmbushur.
Në të gjitha takimet Ivanov do të shoqërohet nga ministri i Punëve të jashtme, Nikolla Poposki. Temat kryesore të bisedimeve do të jenë proceset eurointegruese të Maqedonisë, mundësia për ç’bllokimin e tyre, procesi aktual i reformave në kuadër të Dialogut aderues në nivel të lartë (DANL) dhe pritjet e Republikës së Maqedonisë në lidhje me raportin e Komisionit Evropian në tetor./Portalb