Site icon PORTALB

Taravari i ASH-së për Siljanovskën: S’mund të përkrahim kandidate që s’i do votat e shqiptarëve (VIDEO)

Arben Taravari (ASH)

Arben Taravari (ASH)

Sekretari i përgjithshëm i partisë opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari dje, në emisionin “360 Shkallë”, i ka hedhur poshtë të gjitha dyshimet, se ASH-ja në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale do ta mbështes kandidaten e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska, transmeton Portalb.mk.

“Ne nuk mund ta përkrahim një kandidate që ka thënë se mua nuk më duhen votat e shqiptarëve”, tha Taravari.

Duke folur më tej, Taravari shtoi se në ASH as nuk është biseduar për një gjë të tillë, pasi që siç u shpreh ai, ata janë të bindur se Blerim Reka do të shkojë në rreth të dytë.

“Absolutisht nuk kemi diskutuar në parti për një gjë të tillë. Definitivisht nuk ka pasur asnjë takim me ndonjë parti politike deri më tani. Ne kemi vendosur ta mbështesim një kandidat, z. Blerim Rekën, pas të cilit qëndrojmë edhe ne edhe BESA por edhe shumë intelektualë shqiptarë të pavarur, por edhe nga turqit, boshnjakët”, tha Taravari.

Këto deklarata vijnë, pasi që mediat paraprakisht nxorën informacione, se në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, partitë opozitare, si ato shqiptare dhe maqedonase, do të bëhen bashkë kundër partive në pushtet, dhe kështu ASH-ja dhe BESA do ta përkrahin kandidaten e partisë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska.

LEXO: Partia ASH: Nuk do të përkrahim kandidat presidencial maqedonas në rrethin e dytë
LEXO: Zgjedhjet lokale – garë mes pushtetit dhe opozitës: Në Dibër kandidatë shqiptarë, në Ohër dhe Novoselë maqedonas

Exit mobile version