Ditëve të fundit ka pasur reagime të shumta nga qytetarët e Tetovës për prerjen e drurëve në parkun e Xhamisë së Larme. Megjithatë, parku i Xhamisë së Larme nuk po shkatërrohet, por po rindërtohet. Kompania “Kipper” do të investojë 120 mijë euro për ndërtimin e këtij parku, dhe ka filluar nga krasitja e drunjve të vjetër, njofton Portalb.mk.
Sipas informatave të marra nga zbatuesit e projektit, për ndërtimin e parkut është marrë leje si nga Komuna e Tetovës ashtu edhe nga udhëheqësit e Xhamisë së Larme, gjë që e ka konfirmuar edhe Komuna e Tetovës.
“Me vendim të këshillit komunal, Komuna e Tetovës ka bërë pranimin e donacionit nga Kompania Kipper për rregullimin e hapësirave të parkut të Xhamisë së Larme të qytetit”, thonë nga Komuna e Tetovës.
“E kuptojmë se po ndërtohet parku mirëpo krasitja e drunjëve po bëhet në mënyrë shumë radikale. Drunjtë duhet të krasiten nga profesonistë që të kenë edhe pamjen estetike”, tha njëri nga banorët.
Në projekt parashihet instalimi i sistemit të ujitjes, vendosja e 36 stoleve, ndriçim i parkut, vendosja e më shumë koshave për plehra, tre qendra për ujë për pije, bar i ri dhe rrugica të reja.
Nga Komuna e Tetovës thanë se projektin e ka realizuar studioja projektuese BMA.
Nga kompania investuesve thonë se pas ndërtimit të parkut, i njejti do të mirëmbahet.