Të dielat e pikuara nga gjiri i Rozafës
Kanë kënaqësinë e djegies së fluturës në qiri
Të hënat e ndezura nga Molla e Kuqe te Zoti
Kanë ëndrrën e Toplicës fshehur m`u në gji
Të martat e shelgut degë lëshuar mbi Çamëri
Kanë ritmin e fluturimit të zgalemit në ulli
Të mërkurat gjak rrënje në Malësi të Madhe
Kanë qiellin me sy trëndafili të Gurit të Kuq
Të enjtet e kallirit tënd nga digjet në luginë
Kanë vegimin e shtegtarit me thes në shpinë
Të premtet e yllit të vogël mbi Gurtë e Zinj
Kanë puplën e fatit të zogut të mbetur në hi
Të shtunat e kaktusit të dhembjes mbi dritare
Kanë ngjyrën e udhës ndarë në dy dhiare
Autor: Nexhat Halimi