Site icon PORTALB

Terroristët jetojnë nga urrejtja mes njerëzve të rëndomtë, të mos ua zgjasim jetën!

Sefer Selimi

Sefer Selimi

Akti terrorist në Zelandë të Re është reflektim i polarizimit të skajshëm nëpër të cilën kalon bota sot. Ky polarizim nuk është asgjë e re dhe në periudha të ndryshme kohore, ekstreme të kundërta janë përplasur duke prodhuar dhunë dhe pasoja të jashtëzakonshme të cilat në fund kanë kushtuar jetë të pafajshme njerëzish, të cilët pa vullnetin e tyre janë përdorur mish për top. Dhe në fakt, ato njerëz të cilët kanë refuzuar të marrin anë, ata të cilët kanë kërkuar të qëndrojnë jashtë ekstremeve kanë qenë viktimat të cilët kanë paguar më shtrenjtë marrëzitë e tyre.

Mes shumë dhune, bota kryesisht sot përballet me dy ekstreme të kundërta, të cilat në mënyrë pothuajse të përkryer ushqejnë njëra tjetrën. Kështu, në njërën anë dominon ekstremi i djathtë i cili në thelb ushqen antisemitizmin, etno-nacionalizmin, urrejtjen ndaj emigrantëve dhe urrejtjen ndaj islamit. Në anën tjetër, janë ekstremistët fundamentalist fetar që përdorin dogmën e islamit dhe në thelb predikojnë një shoqëri të mbyllur, thellësisht konservatore dhe përjashtuese për çdo lloj forme tjetër të organizimit shoqëror, përfshirë këtu edhe shoqëritë demokratike. Që të dy palët nuk e kursejnë dhunën për të instaluar botëkuptimin e tyre mbi shoqëritë ku veprojnë ndërsa faturën e paguajnë fëmijë, gra, pleq e qytetarët të pafajshëm. Por çka mund të mësojmë nga sulmi i sotëm terrorist, me ato që dihen deri tash?

Sulmuesi, një ekstremist i djathtë planifikoi në përsosmëri aktin e tij dhe me ç’mund të kuptohet qëllimi i tij kryesor, ashtu si në të gjitha aktet terroriste, nuk kanë qenë viktimat. Ai është kujdesur që kjo tragjedi makabre të nxis dhe thelloj edhe më tepër ndarjet dhe urrejtjen mes ekstremeve dhe idealisht të rekrutoj për të dyja palët më tepër mbështetës. Ja disa shembuj:

Se si do ti përgjigjemi ne kësaj sfide të fundit, mbetet për tu parë por ajo që është shumë e rëndësishme është të jemi të kujdesshëm se çka shkruajmë dhe çka shpërndajmë në rrjetet sociale. Fatkeqësi të tilla janë raste ideale për ekstremistët  që të arsyetojnë përdorimin e dhunës në avancimin e agjendës së tyre. E pamë me etno-nacionalistët në rastin tragjik në Llaskarcë, e kemi parë edhe në qindra raste të tjera. Ato nuk vuajnë për humbjen e jetëve, për më tepër, jetët e humbura janë ushqim për ideologjinë e tyre. Ne duhet të dënojmë ashpër çdo lloj dhune në emër të një ideologjie, qoftë ajo fetare, etno-nacionaliste, politike apo të ideologjive të esktremit të djathtë ose të majtë.

Terroristët nuk kanë etni, nuk kanë religjion. Terroristët jetojnë nga urrejtja mes njerëzve, prandaj të mos ua zgjasim jetën!

Exit mobile version