Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim delegacionin e investitorëve amerikanë të kryesuar nga Michael Mintz, themelues dhe shef ekzekutiv i kompanisë “Squared Property Group LLC”.
Në këtë takim ku është biseduar mbi situatën aktuale ekonomike në vend, Haradinaj ka thënë se Kosova ka krijuar klimë tejet të favorshme për investimet e huaja, transmeton Klan Kosova.
Ai ka theksuar se me rritjen ekonomike më të madhe në rajon, zvogëlimin e tarifave tatimore, reformat thelbësore në sundim të ligjit dhe ato fiskale, si dhe me Ligjin për Investime Strategjike, Kosova ka hyrë në hartën e vendeve atraktive dhe të sigurta për investitorët e huaj.
“Kosova tashmë e ka Ligjin për Investime Strategjike, që krijon lehtësira dhe kushte të mira për investitorët e huaj. Janë themeluar tri zona të veçanta ekonomike të gatshme për të pritur investitorët e huaj”, ka thënë Haradinaj duke përmendur projektet e mëdha energjetike, ato të energjisë alternative.
Gjatë bashkëbisedimit me këtë delegacion, shefi i Qeverisë ka shtuar se Kosova tashmë është kthyer në një adresë të besueshme për investime amerikane.
Delegacioni i investitorëve amerikanë falënderuan kryeministrin Haradinaj për pritjen e sotme duke shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit mes tyre.