Site icon PORTALB

Kur pikëllimi si çarçaf mbulon çdo gjë

Një mbrëmje vere 2005 isha e ftuar në një koloni figurative në Pretor; nga personat e panjohur përreth tavolinës më bëri përshtypje një fytyrë e zbehur, me sy që shikonin si përtej, shikonin thellë dhe gëzueshëm. E zbehtë ama e disponuar sa për tre veta. Rrezatonte jetë. Sillej shumë butë me vajzën e vet dhe djalin tim që posa të miqësuar vraponin nëpër sallë. Bënte shakaja, më së shumti në hesap të vet, si hajgarexhinjtë e lindur. Pas pak u ulëm afër afër dhe filluam të flisnim sikur njihemi që moti; Gunçe më tregonte se  analizat e fundit i kanë dalur mirë, më tregoi datën, më kujtohet –  4 shkurt, kur e ka kuptuar që lëngon nga “ajo sëmundje”. U stepisa, po atë ditë dimri edhe unë e kisha memorizuar për të keq, kur të vjen sikur gjymtyrët të paralizohen, fjalët të mbeten në fyt dhe zemra e ka ngushtë në krahëror…Të njëjtën ditë pra e kishim pasur të dyjat me siklet ende pa u njohur, e mora si shenjë. 

Gunçes s’kishte çka nuk i mungonte: shëndeti me pikëpyetje, me një rrogë të ulët në Agjencionin për migrim ku bënte kafe për të punësuarit, jetonte me qera me vajzën e vogël me emrin e bukur Denica, si ylli i mëngjesit që sipas mitologjisë i hap portat qiellore që drita e diellit të dalë jashtë dhe që njihet si mbrojtëse nga vdekja dhe të zezat tjera…Kur u njohëm ajo e posadivorcuar, por ende e dashuruar në të shoqin që vuante nga paranoja dhe si shumica e të tillëve refuzonte të mjekohej…dhe kur pas vitesh u gjeta në situatë dhembjeje më kujtohej thënia e saj në Pretor, dijagnoza me e saktë e pikëllimit: “…znaes Lindi, imav kako dupka vo zheludnikot…a tagata kako çarshaf pokrivashe sve”. 

Gjithçka i mungonte, por sillej dhe dukej sikur krejt është ok.

Nuk i duhej shumë që të gëzohet dhe të qeshet, vetë i krijonte situatat e mira dhe i injoronte ato që çonin kah brengosja – bënte sikur nuk i sheh edhe kur ia prenin rrugën.
Shumë të afërta ishim, disa vite miqësi intensive.

Në mëngjes pasi e çonte vajzën në shkollë shpesh vinte në Irish pub ku e pija kafenë e parë, uleshim gjithmonë në të njëjtin vend afër dritares dhe qeshnim shumë, shumë. Me duket se nuk ishim në gjendje as tre fjali të njëpasnjëshme t’i bënim pa shpërthyer në gaz. Ndonjëherë komentonim se mund t’u dukemi të dyshimta kamarierëve pasi te ne del i dyshimtë nëse je i disponuar, nëse shumë qesh menjëherë e lidhin këtë me substanca kimike.

Sa herë e prisja me nerva të ngritura derisa kthehej nga Klinika me rezultatet, thoshte se lajmet e mira kumtohen live, prandaj nuk paraqitej, por vite me vrap në Irish dhe atë ditë rrinim më gjatë se zakonisht, kremtonim të lumtura.

Drejtori i ri i Agjencionit, menjëherë pas emërimit bleu kafe-mat dhe e la Guncën pa rrogë, demek racionalizim, ndërkohë që i shumëfishonte shpenzimet tjera me pare shteti, e keni parasysh, funkcionar.

Gunçe mbeti edhe pa atë rrogë, “ama stavot ne go gubis mila” i thoja.

Ajo nuk dinte t’u lutet njerëzve, nuk dinte të bëhet e gjorë.

Pas pak kohe u punësua te arkitekti Boris Çipan,  ia bënte punët e shtëpisë dhe drekën, i bënte muhabet në tema të ndryshme “flet shumë, ama nuk është e mërzitshme” komentonte  doajeni i arkitekturës . Atij posa i kishte vdekur e bija, Gunçeja i erdhi si një lloj zëvendësimi, nëse mund të thuhet ashtu.. Banesën e ftohtë nga pikëllimi e mbushi me dritë, punonte duke kënduar  rok…bënte gjellëra të shijshme, i ulej afër në tavolinë pasi Çipani e kishte zët të hante vetë – thoshte se atëherë më së forti e ndjen vetminë.  

Pas vdekjes së tij, gjeti tjetër punë, në firmën e një shoku.

Vazhdonim të shiheshim, fëmijët shoqëroheshin mirë se rriteshin pak a shumë në të njëjtën frymë. 

Shkonim bujshëm të njëra-tjetra, banesën e kishte shembull shkollor se si gjithçka (në këtë rast: dizajni dhe atmosfera), bëhet më tepër me mendje e zemër se sa me buxhet: dukej si mini hipi komunë, një nga hapësirat më kreative që kam parë.

Kësaj vjeshte u humb, s’përgjigjej në telefonata, s’kthente sms. Së shpejti e kuptova nga tjerët se analizat nuk i dalin mirë. Refuzon shoqërimet me miqtë, lëngon në vetmi, me vajzën tashmë të rritur pranë, vetëm me të.

Biseduam para se të ulesha të shkruaj.

Fliste pak, unë fare pak, çfarë mund të thuhet?

Disi arrita t’i them që është Fajter dhe që dua ta

shoh pesë minuta, tre minuta, aq sa do më lejojë.

Tha se do më tregojë kur mundem të shkoj.

Nuk pres t’më tregojë pasi nuk i dihet.

Tha se është e lodhur.

“Krahiram Lindi”.

Përfunduam bisedën dhe saora e ndjeva, siq do thoshte ajo vetë:  gropën që të krijohet në lukth kur pikëllimi si çarçaf mbulon çdo gjë.  

Exit mobile version