Site icon PORTALB

ANALIZË: Shtatë milionë euro për zhvillim rajonal – si ndahet kulaçi shtetëror i Maqedonisë së Veriut? (Infografik)

Infografik, ndarja e parave për zhvillim rajonal

Infografik, ndarja e parave për zhvillim rajonal

Gjithsej 6,9 milionë euro këtë vit janë planifikuar të harxhohen për nxitjen e zhvillimit të barabartë rajonal në vend. Paratë janë të dedikuara për tetë rajonet planifikuese. Vetëm për financimin e projekteve në nivel të rajoneve planifikuese janë ndarë pothuajse 5 milionë euro, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Sipas të dhënave, pjesa më e madhe ose 17,3% e ndihmës shtetërore për zhvillim të barabartë rajonal është e dedikuar për rajonin planifikues Verilindor.

Nevoja të mëdha – a shfrytëzohem dhe si shfrytëzohen paratë.

Rritje ekonomike në nivel rajonal, infrastrukturë bashkëkohore, nxitje e konkurrencës, shfrytëzim dhe nxitje e bazës teknike-teknologjike dhe potencialit të kapaciteteve industriale, shfrytëzim optimal i resurseve natyrore dhe potencialeve energjetike të rajoneve planifikuese, mbrojtje e mjedisit jetësor – e gjatë është lista e prioriteteve të përcaktuara në Strategjinë për zhvillim rajonal të rajoneve planifikuese. Për çdo vit ndahen shuma milionëshe në euro për t’u arritur këto qëllime – por cilat janë efektet, si ndahen paratë dhe cilat janë projektet?

Në vend janë definuar tetë rajone planifikuese: i Shkupit, Juglindor, Lindor, i Pellagonisë, i Vardarit, Jugperëndimor, i Pollogut, Verilindor dhe secili prej tyre i ka karakteristikat e veta ekonomike, sociale dhe demografike, të cilat edhe përdoren për mënyrën e ndarjes së parave buxhetore. Me Programin për zhvillim të barabartë rajonal për vitin 2019 janë planifikuar mjete në vlerë prej 6.910.569 eurosh. Pothuajse 68% e kësaj shume është e dedikuar për financimin e projekteve për zhvillimin e rajoneve planifikuese. Ja se për çka harxhohet buxheti i përgjithshëm:

Sipas të dhënave deri te të cilat erdhi “Portalb”-i, pjesa më e madhe e mjeteve të dedikuara për zhvillimin e rajoneve do të shkojnë në rajonin Verilindor. Ja si duket ndarja e ndihmës shtetërore me përqindje sipas rajoneve:

Për më shumë shiheni hartën e mëposhtme interaktive:

“Në qoftë se konstatohet shpenzim joadekuat i mjeteve që do të ndahen, Qendrat për zhvillimin e rajoneve planifikuese duhet ato t’i kthejnë në buxhetin e Republikës së Maqedonisë“ – thuhet në vendimin për ndarjen e mjeteve për financimin e projekteve për zhvillimin e rajoneve planifikuese.

Të dhënat nga Plani aksional për zbatimin e Strategjisë për zhvillim rajonal 2016-2018 , tregojnë se në këtë periudhë të analizuar janë nënshkruar kontrata për implementimin e 230 projekteve zhvillimore në vlerë të përgjithshme prej 4 milionë eurosh. Prej tyre, për zhvillimin e infrastrukturës bashkëkohore në rajonet malore janë harxhuar 2,2 milionë euro,  për nxitjen e zhvillimit ekonomik 1,5 milionë euro, ndërsa për shfrytëzimin e potencialit inovativ dhe nxitjen e zhvillimit teknik-teknologjik, 32.000 euro.

Përndryshe, rajoni më i madh sipas sipërfaqes është rajoni i Pellagonisë, mirëpo ai ka dendësi më të vogël të popullsisë, ndërsa sipas sipërfaqes më i vogël është rajoni i Shkupit, por në të njëjtën kohë ai ka dendësi të theksuar të popullsisë prej 319 banorëve në metër katror. Sipas numrit të komunave të përfshira, udhëheq rajoni i Shkupit me 17 komuna, rajoni Lindor përfshin 11 , ndërsa rajoni Juglindor 10 komuna. Numër më të vogël të komunave ka rajoni Verilindor, edhe atë gjashtë komuna.

Indekset zhvillimore të rajoneve planifikuese (shkalla e zhvillimit social-ekonomik) tregojnë se rajoni planifikues i Shkupit karakterizohet me shkallë të zhvillimit mbi mesataren, rajoni planifikues Juglindor dhe Lindor janë në nivel të mesatares, ndërsa të gjitha rajonet e tjera janë nën mesataren e vendit. Dallimi ndërmjet rajonit planifikues të Shkupit dhe rajonit planifikues më pak të zhvilluar, atij Verilindor, është jashtëzakonisht i madh. Rajoni i Pollogut karakterizohet me zhvillim demografik mbi mesataren, mirëpo me zhvillim të ulët ekonomik-social.

Exit mobile version