Për tregim të guximit dhe dhënien e ndihmës për të aksidentuarit në aksidentin në autostradën Shkup – Tetovë, në fshatin Llaskarcë, zjarrfikësve të Njësisë Kundër Zjarrit të Qytetit të Shkupit, kryetari i qytetit, Petre Shilegov u ndau falënderime, njofton Portalb.mk.
Shilegov sot u dha falënderime zjarrfikësve Vlladimir Simonovski, Vlladimir Koçovski, Cane Projçevski dhe Rasho Rozhajac të cilët ishin mes të parëve që arritën në vendin e ngjarjes.
Menjëherë pas marrjes së informatës për aksidentin në autostradën Shkup – Tetovë, ekipet e Njësisë Kundër Zjarrit Shkup kanë intervenuar në terren me automjete të specializuara dhe u kanë ndihmuar të aksidentuarve.
Javën e kaluar, Këshilli i Qytetit të Shkupit miratoi vendim që në shenjë solidarizimi, familjeve të viktimave t’u ndajë nga 100.000 denarë, ndërkaq të lënduarve nga 30.000 denarë.
Ndryshe, autobusi i kompanisë “Durmo Turs” nga Gostivari, të enjten (13.02.19) rreth orës 17 i vozitur nga M.T (49) ka humbur kontrollin dhe ka kaluar mburojën e hekurt në anën e kundërt të autostradës Tetovë – Shkup, më pas ka dalë nga rruga dhe është rrokullisur në hendek në afërsi të fshatit Llaskarcë. Numri i viktimave ka arritur në 15, ndërsa 38 persona të tjerë u shtruan nëpër spitale pas lëndimeve që kanë marrë nga aksidenti.