Site icon PORTALB

Rasti i Ivanoviqit, edhe një person tjetër nën hetime

Oliver Ivanoviq

Oliver Ivanoviç

Po vazhdojnë hetimet rreth rastit të eliminimit të politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Shumë akuza në drejtim të institucioneve të drejtësisë, kishin bërë njerëzit e partisë së Oliver Ivanoviqit për eliminimin e liderit të partisë Iniciativa Qytetare, transmeton Ora Info.

Por, tashmë edhe zyrtarë të partisë së tij janë duke u hetuar si të dyshuar në krimin ndaj Ivanoviqit.

Prokuroria ka nisur hetimet për Silva Arsoviqin, e cila punon si administratore në zyrat e SDP-së.

Arsoviqi, sipas Prokurorisë, dyshohet se kishte qenë afër kamerave të sigurisë në këtë parti, të cilat nuk kishin funksionuar pikërisht në momentin e qëllimit të Oliver Ivanoviqit.

Prokurori, i cili po heton rastin, në të cilin i dyshuar kryesor është nënkryetari i Listës Serbe Milan Radojçiq, thotë se ka pranuar një ftesë nga avokati i tij për ta intervistuar në Serbi, por që ai këtë nuk e ka pranuar.

Hoxha insiston se intervistimi i Radojiçiqit dhe gjithë të dyshuarve për krimin do të bëhet në zyrat e Prokurorisë Speciale.

Përkundër kërkesave drejtuar autoriteteve në Serbi, që të japin qasje në bisedat dhe telefonatat e Ivanoviqit para krimit, Prokurorisë në Kosovë i janë dhënë vetëm numrat të cilët i ka përdorur ai.

Nënkryetarja e Iniciativës Qytetare, Ksenija Bozhoviq, nuk është deklaruar për hetimet që ka nisur Prokuroria për një punëtore të kësaj partie.

Përgjigje nuk kanë dhënë as Prokuroria e Ministria e Drejtësisë në Beograd.

Por, Milan Radojiçiq, që vazhdon të kërkohet nga Prokuroria në Kosovë, lirshëm vazhdon aktivitetin në Beograd, ku është zgjedhur edhe kryetar i Federatës së Futbollit për Kosovë.

Ditëve të fundit, janë dy krerët më të lartë të shtetit të cilët kanë akuzuar njërin-tjetrin për takimet që kishin me të dyshuarin për krimin ndaj Oliver Ivanoviqit.

Derisa presidenti Hashim Thaçi tha se dëboi nga Kosova mikun e kryeministrit Ramush Haradinaj, ky i fundit deklaroi se me Milan Radojiçiqin u takua bashkë me Thaçin në zyrën e tij.

Exit mobile version