Site icon PORTALB

Dolën ofshor detaje “pikante” nga rasti i PSP-së “Perandoria”

Foto schreenshot

Prapa terminologjisë së thatë juridike dhe prapa inicialeve, të cilave u mungon vetëm fytyra e njeriut, Gjykata Supreme, pardje, rastësisht apo jo, “vizatoi” një pjesë të skicës të rrjetit të biznesit që Prokuroria speciale publike (PSP) është duke e hetuar dhe me muaj të tërë është duke e ruajtur me xhelozi nga publiku, nën emrin e koduar “Perandoria”, shkruan Prizma.mk, transmeton Portalb.mk.

Në fakt, PSP-ja ka bërë përpjekje që me informata të ndjeshme ta bindë gjykatën se të dyshuarit duhet të mbeten në arrest shtëpiak. Gjykata Supreme nuk e dëgjoi prokurorinë dhe publikoi “detaje pikante” si pjesë integrale të vendimeve me të cilat biznesmenët Jordan Kamçev, Cvetan Pandeleski dhe Nenad Josifoviq do të mbrohen në liri.

Edhe pse emrat e kompanive janë të shënuara vetëm me iniciale, prej dokumenteve të publikuara, për herë të parë mësohet se, sipas PSP-së, pikërisht Nenad Josifoviq është pronari i vërtetë i kompanisë nga Belize, “Sirah Limited”.

“Sirah Limited” është e njohur si kompani që zotëron parcelën prej 11.000 metra katrorë në Vodno, për të cilën LSDM në vitin 2015 akuzonte se i takon ish kryeministrit Nikolla Gruevski. Socialdemokratët e mbështesnin dyshimin e tyre në faktin se disa vjet si menaxher i kompanisë “Sirah” nga Shkupi ka qenë Risto Novaçevski, kumbarë i Gruevskit nga martesa e parë.

Sot, pronar i parcelës jashtëzakonisht të madhe është e njëjta kompani, por nën emër tjetër, që tani quhet “Lajf kear sentër”, ndërsa pronarë të saj janë firmat e familjes Kamçev.

Belizeja ekzotike u bë sinonim për marrëveshjet e biznes-grupacionit të afërt me VMRO-DPMNE, në epiqendër të së cilës pulsonte miqësia midis ish-shefit të policisë sekrete Sasho Mijallkov dhe biznesmenit Jordan Kamçev.

Ndërkohë, u harxhuan me tona letër dhe orë të hulumtimeve gazetareske, të cilat gjithmonë sugjeronin, por asnjëherë plotësisht nuk e konfirmuan se kompanitë që vijnë nga Belizeja largët dhe investojnë në vend, janë të lidhura me këtë dysh, apo njerëzit e tyre të besueshëm

Gjurmimi pas pronarëve të vërtetë të këtyre ofshor kompanive, sipas ndonjë rregulli, përfundonte me dështim me fotografi në Gugëll maps të ndonjë ndërtesë të rrënuar që mezi ka qëndruar e ngritur mbi rrugën me pluhur Majlls nordhërn hajvej në qytetin e varfër Belize siti, afër kufirit me Meksikën.

Kompanitë nga Belizeja dhe pronarët e tyre të panjohur investonin pa pengesa në vend, blinin parcela, ndërtonin hotele dhe ndërtesa, një palestër të tërë sportive, hynin në pronësinë e korporatave të mëdha, gjetën biznes-interes në media, madje edhe në hidrocentralet e vogla.

Për një dekadë u ndërthur rrjet i ndërlikuar i ofshor kompanive dhe interesave, e cila është pothuajse e pamundur të paraqitet me vizatim, ndërsa edhe më e vështirë me fjalë të thjeshta dhe numra.

Rrjedhje informatash për kontroll

Sasho Mijallkov, Foto: “Kolektiv.mk”

Këto dokumente i zbulojnë edhe informatat e PSP-së, se të dyshuarit pikërisht para kontrollit kanë fshehur prova të mundshme dhe se tanimë kanë ndikuar në hetim, ndërsa e shprehin frikën e prokurorisë që Kamçev, Pandeleski dhe Josifoviq do të vazhdojnë të bëjnë të njëjtën gjë, nëse janë në liri.

Si ilustrim i kësaj, në vendime është sqaruar se çfarë kishte ndodhur të premten, 9 nëntor, 2018, në orët e hershme të mëngjesit, para se të arrestohen Kamçev, Pandeleski dhe Josifoviq.

Personi me inicialet S.M. në ora 3 e 25 minuta pas mesnate e ka informuar Nenad Josifoviqin se do të kryhet kontroll në shtëpinë e Kamçevit. Është e paqartë, por çdo gjë sugjeron se pas këtyre inicialeve fshihet emri i ish-shefit të policisë sekrete Sasho Mijallkov.

Pas paralajmërimit Josifoviqi ka shkuar në objektin e Orka holding dhe pas rreth një ore është kthyer në shtëpi për të pritur policët. Më vonë, është vërtetuar se ai i kishte fshehur objekte nga kasaforta e shtëpisë dhe telefonin celular përmes të cilit në fakt është vërtetuar traseja e lëvizjeve të tij atë natë. Sipas gjetjeve të PSP-së, njëlloj ka vepruar edhe Jordan Kamçev, i cili ka fshehur prova.

PSP-ja pretendon se përveç këtyre dyve, edhe Cvetan Pandeleski ka ndikuar në procedurat hetimore.

“Gjatë procedurës para hetimore i pandehuri ka ushtruar ndikim mbi një pjesë të dëshmitarëve, veçanërisht mbi ata të cilët paraqiten si drejtues fiktivë të personave juridikë nën kontroll të Grupit, në të cilin i pandehuri vepron si një prej organizatorëve, së bashku me J.K., S.M. dhe N.J.”, është transferuar në vendimin e Gjykatës Supreme.

Prokuroria speciale paralajmëron se ekspertizat janë në rrjedhë e sipër dhe se po planifikohen ekspertiza të reja, ndërsa mbeten të merren në pyetje edhe 20 dëshmitarë dhe se tre personat të cilët po lirohen tani mund të ndikojnë mbi ekspertët, dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët tjerë.

Dokumentet qe i publikoi Gjykata Supreme zbulojnë se ekipi i Katica Janevës ka  frikë që të pandehurit mund të ikin apo mund të fshihen. Kjo gjë për këta persona nuk do të duhej të ishte problem, argumenton PSP-ja.

Kamçev, për shembull, ka pasur firma dhe pasuri të paluajtshme jashtë vendit, duke përfshirë edhe shtetësinë bullgare. Nga inicialet e shumta në dokumente mund të konkludohet se ky biznesmen ka kompani në disa vende fqinje dhe Federatën Ruse, në qytetin e Rostov më lumin Don, prej nga vjen shoku i tij dhe biznesmeni Sergei Samsonenko.

“Është e bazuar frika se i akuzuari mund të arratiset dhe të fshihet, e kështu edhe të pengojë procedurën penale, veçanërisht pasi ka gjendje të mirë materiale” paralajmëron PSP-ja.

Pavarësisht nga e gjithë kjo, Gjykata Supreme i kryesuar nga Jovo Vangellovski vendosi për lirimin e të dyshuarve Kamçev, Josifoviq dhe Cvetan Pandeleski, ndërsa pritet të veprojë njëlloj edhe në rastin e Sasho Mijallkovit.

Para do kohe BIRN ka shkruar se dobi konkrete nga mendimi kontrovers ligjor i Gjykatës Supreme do të kenë pikërisht të dyshuarit në hetimin e PSP-së, “Perandoria”.

Ky qëndrim parimor i gjykatës, që është interpretuar si akt politik i amnistisë së heshtur, e sjellë në pikëpyetje tërë hetimin, për shkak se, sipas tij, PSP-ja nuk është paditës i autorizuar në këtë rast.

Pritet që kjo pengesë të tejkalohet me Ligjin e ri për PSP-në, i cili këto ditë do të mbërrijë në Kuvend, por sipas analizave fillestare për këtë hetim, ekipi i Janevës nuk do të jetë në gjendje të përdorë bisedat e përgjuara në mënyrë të paligjshme si prova.

Exit mobile version