Bangladeshi nuk mund të pranojë më myslimanë Rohingya
Qeveria e Bangladeshit ka informuar Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se nuk mund të pranojë më shumë refugjatë, pasi në këtë shtet janë strehuar më shumë se 700,000 myslimanë Rohingya nga Burma fqinje, të njohur edhe si Mianmar.
“Me keqardhje informoj Këshillin se Bangladeshi nuk mund të pranojë më shumë njerëz nga Mianmari”, ka thënë Sekretari i Jashtëm i Bangladeshit, Shahidul Haque, transmeton REL.
Ai ka shtuar se kriza rreth riatdhesimit të myslimanëve Rohingya që strehohen në Bangladesh, është duke u përkeqësuar, andaj i ka kërkuar Këshillit që të marrë hapa “vendimtarë”.
Bangladeshi është ankuar shpesh se është në gjendje të vështirë për shkak të numrit të madh të refugjatëve që ka pranuar.
Kombet e Bashkuara tashmë kanë klasifikuar si “gjonocid” dëbimet e refugjatëve Rohingya nga shtëpitë e tyre.
Shumica prej tyre kanë ikur nga ushtria e Mianmarit, e cila në gusht të vitit 2017 ka nisur një fushatë kundër militantëve në këtë shtet.
Mianmari me shumicë budiste ka mohuar pretendimet për spastrim etnik duke deklaruar se forcat e sigurisë vetëm i janë përgjigjur sulmeve të militantëve dhe nuk kanë shënjestruar civilët.
Sipas një marrëveshjeje të arritur me Bangladeshin, Mianari është pajtuar për të kthyer refugjatët, mirëpo Kombet e Bashkuara kanë kërkuar që siguria e refugjatëve të sigurohet nga autoritetet e shtetit të tyre.