Mbyllja e pavarësisë së mbikëqyrur

Pas kthimit nga Nju Jorku, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi shpreson që ndryshimet kushtetuese që lidhen me përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë të marrin 2/3 e votave të deputetëve, që janë të domosdoshme. Për të arritur këtë, Thaçi tha se është në koordinim me spektrin politik.

“Ne mund të kemi sukses të plotë me filozofinë e unitetit politik e qytetar, për çka nuk dyshoj në spektrin politik. Jemi në koordinim me spektrin politik në mënyrë që ndryshimet kushtetuese, të nevojshme për mbikëqyrjen e pavarësisë, të kalojnë me 2/3 në shtator të këtij viti”, deklaroi Thaçi.

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve përmes të cilit bëhet përmbyllja e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë është miratuar në shqyrtimin e parë, ku ka marrë votën edhe të dy partive opozitare, LDK dhe AAK, ndërkaq në javën e parë të shtatorit Kuvendi pritet ta miratojë në shqyrtimin përfundimtar këtë projektligj.

Kryeministri Thaçi i bëri këto komente në mbledhjen e qeverisë, ndërsa shtoi se në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka prezantuar progresin e Kosovës, që po i hap rrugën edhe përmbylljes ndërkombëtare të mbikëqyrjes së pavarësisë.

Ndërsa, në një konferencë për media, pas mbledhjes së qeverisë, ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku tha se Ministria e Jashtme është duke bërë axhendën dhe ende nuk di me detaje nëse edhe FSK do të përfshihet në ceremoninë shtetërore.

Ministri Çeku, i cili vjen nga radhët e Koalicionit për Kosovë të Re, kur është pyetur se a ndihet mire në qeveri pas zërave se koalicioni qeverisës mund të ndryshojë, tha se po vazhdon punën e tij pa ndonjë ngarkesë në këtë drejtim.

Sa i përket thirrjeve të zyrtarëve qeveritarë drejtuar partive opozitare që të bëhen bashkë për dialogun me Serbinë, Çeku tha se kjo nuk do të thotë që qeveria ka frikë të hyjë në dialog pa opozitën, por është thjesht ftesë për opozitën që të marrë përgjegjësinë e vet.

Lajme të ngjashme

Back to top button