Deponia e egër në Shuto Orizare (Shutkë) sërish është djegur. Pavarësisht reagimit nga Inspektorati i Qytetit të Shkupit, zjarrvënësit nuk janë kapur. Inspektorati ka patrulluar gjatë periudhës kohore 06 – 22, e kurse zjarri sipas banorëve shkaktohet pas orës 22:00. Çështja e deponisë ka qenë temë diskutimit sot edhe në Këshillin e Qytetit të Shkupit, e kurse Iniciativa “O2” edhe sot ka fajësuar për mosfunksionalitetin e institucioneve dhe ka kërkuar përgjegjësi, transmeton Portalb.mk.
“Edhe një dëshmi se sistemi nuk funksionon, janë përfshirë disa institucione, premtime, bisedime, marrëveshje, kurse problemi ende ekziston. Kush do ta mbajë përgjegjësie për këtë stacion të shkarkim-ngarkimit? Si u lejua që të krijohet kjo gjendje? Qyteti i Shkupit dhe kryetari Petre Shilegov, e dinë gjendjen, por nuk kanë reaguar deri tash. NP Higjiena Komunale e Qytetit të Shkupit, a marrëveshja për ngarkim – shkarkim në këtë lokacion në Shutkë është e saj. Deponia gjatë këtyre ditëve vazhdimisht është djegur. Banorët e rrethinës ankohen në erë të padurueshme, e cila u ka shkaktuar vështirësi gjatë frymëmarrjes, djegie të syve, dhe të tjera. Përgjegjësi këtë herë duhet të mbajë dikush”, thanë ndër të tjerash nga Iniciativa “O2”.
Në lidhje me këtë, zëdhënësi i Qytetit të Shkupit, Valon Saliu për Portalb.mk deklaroi se për çështjen e deponisë është diskutuar sot në mbledhjen e Këshillit, dhe janë siguruar zjarrfikës për shuarjen e zjarrit.
“Kishte në Këshill sot pyetje në lidhje me këtë. Kemi siguruar edhe zjarrfikës të tjerë”, tha Saliu.
Udhëheqësi i sektorit të Inspektoratit të Qytetit të Shkupit, Mirosllav Bogdanovski ka hedhur poshtë akuzat e “O2” se Qyteti i Shkupit nuk ka reaguar ndaj situatës, ndërkaq njoftoi se patrullë kryhet dy herë brenda ndërrimit.
“Nuk është e vërtetë që nuk kemi reaguar, aty Inspektorati i Qytetit të Shkupit dhe Kundërzjarri janë duke reaguar që katër ditë. Inspektorati është me kujdestar atje, dikush me qëllim është duke e djegur deponinë. Nuk e dimë sigurt se bëhet qëllimshëm. Atje kemi patrullë, nuk mund të kryejmë kujdestari 24 orë, sepse edhe kapacitetet janë aq. Shërbimi i numrit “193” kanë udhëzime që 1 deri 2 herë në ndërrim të kalojnë, që të shohin çfarë po ndodh, mos ka ndonjë lëvizje. Shërbimi 193 kalojnë nga ora 6 e mëngjesit, deri në ora 22 në mbrëmje”, tha Bogdanovski.
Inspektori Bogdanovski premtoi se Qyteti i Shkupit do të punojë që ajo deponi të mos ekzistojë fare.
“Qyteti i Shkupit do të punojë që të sanohet në tërësi ajo deponi, të mos ekzistojë fare. Në vendngjarje nuk kemi kapur askënd, dhe kjo me shumë gjasë ndodh në orët e vona të natës”, tha Bogdanovski.
Portalb: Deponia digjet gjithnjë pas orës 22:00, pse nuk patrulloni pas orës 22:00?
Mirosllav Bogdanovski: D.m.th. pas orës 10, si të ju them? Nëse mendoni se vetëm Inspektorati i Qytetit të Shkupit është në shtet, se duhet t’i zgjidh të gjitha problemet, ku është këtu inspektorati shtetëror, ku është inspektorati i Ministrisë.
Portalb: Nga Inspektorati i Ministrisë na kanë thënë se nuk është nën kompetencë të tyre deponia e egër, pse tash Ministrinë?
Mirosllav Bogdanovski: Asgjë nuk është nën kompetencë të Ambientit Jetësor, deponia, ajo është tjetër, d.m.th. Ambienti Jetësor nuk qenka? A nuk është deponia Ambient Jetësor? Si nuk është nën kompetencë të tyre? Çfarë është nën kompetencë të tyre? Nuk munden kompetencat të gjuhen nga njëri, në tjetrin.
Portalb: A do të ketë kontrolle pas orës 10 të mbrëmjes?
Mirosllav Bogdanovski: Dje ka pasur kontroll deri rreth orës 23:00. Me iniciativë të Inspektoratit, janë ftuar ekskavator dhe disa vetura, dhe bashkë me Kundërzjarrin është reaguar që të shuhet ai zjarr. Por nuk është vetëm një, dje janë djegur 4, 5 deponi; në Vizbeg, në Smilkovë dhe në Haraçinë. Ne nuk mund që në të njëjtën kohë t’i mbulojmë. Sa njerëz kemi? Tërë inspektorati ka 47 inspektorë dhe vetëm 3 vetura.
Qytetarët ekzistimin e deponive të egra duhe ta denoncojnë te numri 3216644 (Higjiena Komunale), e kurse djegien e tyre te numri 193 (Qendra për Kundërzjarr).
LEXO: Të gjithë e dinë gjendjen, në Shuto Orizare ende jetohet mes deponish dhe kanalizimeve të hapura