Site icon PORTALB

DISIDENCA QË NUK NA DUHET

Salajdin Salihi

Salajdin Salihi

Shkrimtarja dhe gazetarja kroate, Slavenka Draguliq, thotë se në një shtet të lirë nuk ka disidencë, por mendime të ndryshme. Në një shtet normal secili e gëzon lirinë e mospajtimit me të “vërtetën zyrtare”, pa u ndëshkuar për shkak të bindjeve të tij.

Për sa kohë jetojmë në shtete që nuk janë normale, do të kemi disidencë, ndonëse ndëshkimet mund të jenë më të sofistikuara. Kritikuesit mund ta humbin vendin e punës, të margjinalizohen, të demonizohen, të linçohen, të etiketohen. Etiketuesit prodhohen në laboratorët e partive politike, të cilat kanë krijuar inteligjencien e tyre partiake dhe nëpërmjet saj duan ta komandojnë trurin e njerëzve. Etiketuesit, këta xhagajdurë të mërzitshëm, kanë si mision të krijojnë kaos mendimi.

Pjesëtarët e “inteligjencies së çarshisë” sot janë katapultuar kudo nga “shokët e idealit”. Pjesëtarët e kësaj “elite” ftohen nëpër debate e  konferenca edhe pse nuk janë fare kompetentë. Kur bëjnë marrëzira, atëherë i akuzojnë të tjerët se përse nuk e kanë ngritur zërin. Disa të tjerë nuk shfaqen në publik, sepse nuk mund t’i lidhin dy fjalë. “Debatet” i bëjnë në çarshi.

Politikanët që i besojnë gënjeshtrës, të cilën vetë e kanë sajuar, kanë krijuar bindjen se të gjithë ata që kanë krijuar profil publik me mundin e tyre, janë të gatshëm t’u shërbejnë, mjafton t’u sigurohet ndonjë privilegj. Sa herë ndjehen ngushtë, ata duan t’i “thithin” njerëzit me profil publik. Kërkojnë që ata të paraqiten për t’u anëtarësuar në parti politike, madje edhe nëpërmjet e-mailit. Kështu duan të “dëshmojnë” se janë të hapur për “mendimin e ri”. Të bësh kësi kërkese do të thotë: të kesh mungesë inteligjence, të jesh mashtrues ose të mos kesh kurrfarë konsideratë ndaj një njeriu që gjithçka në jetë e ka arritur me punë vetmitare. Ai që e pandeh veten si “elitë” dhe konkurron të bëhet anëtar partie, në këtë mënyrë, është ose i degraduar moralisht, ose i gjymtë profesionalisht, ose ka ndonjë hall shumë të madh. Ai që futet në parti, në këtë mënyrë, mund të përfitojë individualisht, duke i shërbyer një grupimi politik, por jo edhe për ta jetësuar një vizion politik. Ai do të shikohet si shërbëtor, si anëtar i thjeshtë, si votë plus dhe jo si njeri që kontribuon me idetë ose me vizionet e tij politike. Në partitë tona, të tilla siç janë, nuk bën karrierë politike nëpërmjet një projekti apo vizioni politik, por duke u shërbyer sekteve brenda grupit, pra duke e shitur dinjitetin. Të kërkosh drejtësi e parime në kësi partish është mision i pamundur…

Mendimtar është ai që i flet prijësit si Diogjeni: “Mos ma mbulo pjesën time të diellit”. Dhe prijës i vërtetë është ai që i duron tekat e mendimtarit dhe thotë: “Po të mos isha Leka do të doja të isha Diogjeni”. Por politikanët tanë e perceptojnë mendimtarin si këngëtar estrade. Politika sot ka ngjashmëri me estradën. Kiçi politik ka prodhuar kiçin kulturor dhe anasjelltas. Sot në aksion është “elita e çarshisë”, ajo partiake, e cila shërben si mbulesë për marrëzitë e politikanëve. Kjo “elitë”, pavarësisht sa është servile, përherë shihet me mosbesim. Ai që i shitet njërit, blihet lehtë edhe nga tjetri.  Pikërisht kjo “inteligjencë dominuese” e demonizon “inteligjencien e padëshiruar”, e cila nuk pajtohet me realitetin e konstruktuar politik.

Ne kaluam nëpër një regjim autoritar jo vetëm për shkakun e politikanëve, por edhe për shkakun e “elitës së çarshisë”. Shërbyesit e regjimit sot janë më të zëshmit kundër tij. Ata që e kundërshtuan këtë regjim, nëse sot e kritikojnë pushtetin, shpallen si adhurues të regjimit të vjetër. Atëherë dhe tani, refuzuesit e së keqes paguajnë çmime prej disidenti, për sa kohë “disidentët e vonuar” sërish janë në pushtet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version