Site icon PORTALB

Shqiptarët ‘flejnë’

Shqiptarët nuk ngritin zërin, janë bë pasiv

Shqiptarët nuk ngritin zërin, janë bë pasiv

Qytetarët e Maqedonisë vlerësojnë e shqiptarët në këtë vend janë shumë të heshtur, kanë pakënaqësi të shumta lidhur me politikën në vend, por ja që nuk e ngritin zërin, e lëre më të organizojnë protesta.

Pakënaqësitë e popullit shqiptar në Maqedoni janë të shumta, si për shembull ngecja e eurointegrimeve, gjë që premtohet tani më 10 vite dhe asgjë nuk është realizuar deri më tani.

Lidhur me këtë çështje për Portalb, deklaruan disa qytetarë shqiptarë, të cilët shprehen mendimet e tyre.

Xhaferi: Në Maqedoni qytetarët janë tepër të frikësuar për të protestuar

“Mendoj që duhet bërë çfarë do që të jetë e mundur për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe BE-së, por ndjej se fatkeqësisht qeveria nuk është e interesuar të bëhet pjesë e integrimeve, sepse këtë e ka dëshmuar shumë herë deri tani. Protestat janë shumë të nevojshme, sepse përcjellin kërkesat e qytetarëve tek autoritetet, por në Maqedoni qytetarët janë tepër të frikësuar për të protestuar qoftë edhe kundër ajrit të helmuar që po thithin, papunësisë ose shumë padrejtësive të tjera që po ju bëhen”, tha Arianit Xhaferi, qytetar.

Latifi: Protestat kolektive te shqiptarët thuajse nuk ekzistojnë

“Jemi në një periudhë (afatshkurtë) pritjeje për realizimin e premtimit të dhënë nga partia që do të jetë pjesë e pushtetit ekzekutiv (BDI) për aderim në NATO. Andaj një protestë e tillë ndoshta do të duhej të vinte në rast se ky premtim nuk përmbushet. Aq më shumë që aktualisht të gjitha pritjet dhe tërë “mirëqenia” e shqiptarëve është përqendruar në këtë premtim. Sa i përket protestave kolektive, fatkeqësisht në Maqedoni, në veçanti te shqiptarët ato thuajse nuk ekzistojnë apo janë aq të pakta protestat për ndikimin në opinion publik apo politikën ditore, sa që mendoj se ne mbi të gjitha kemi nevojë për një protestë për heshtjen”, tha Anita Latifi, qytetare.

Luçi: Qytetarët, preh e indoktrinimit të platformave politike

“Deri sot qytetarët kanë qenë preh indoktrinimit të platformave të partive politike rreth proceseve integruese. Përcaktimi i protestës është mjeti i fundi që duhet të përdoret d.m.th. protestat janë rezultat i moszgjidhjeve apo mungesës institucionale të çështjeve. Përderisa ekzistojnë mekanizma tjerë më e kapshme do ishte që të parashtrohet referendum për emrin si pengesë e vetme drejt aderimit në strukturat integruese. Mendoj që fillimisht pasi ekzistojnë forma institucionale, ato duhet që të shërbejnë”, Daim Luçi, qytetar.

Bajrami: Votuam që mos të integrohemi

 “Shqiptarët në Maqedoni njihen si një popull pasiv dhe kjo është vërtetuar kohët e fundit kur ne kemi hasur në gjithë ato probleme dhe asnjëherë nuk kemi parë një mobilizim kundër padrejtësive të mëdha që na bëhen tash 10 vite. Nuk mendoj se shqiptaret duhet të dalin në protesta për faktin që s’do të jemi pjesë e NATO-s dhe BE-së edhe për një kohë të gjatë sepse ne kishim mundësi të protestojmë më datë 27 prill duke mos e votuar partinë që na premton gënjeshtra tash 10 vite se do të na anëtarësoj në strukturat euro atlantike dhe ne bëmë pikërisht këtë. Kjo lloj “proteste” tregon mjaftueshëm se sa shumë e duam ne integrimin në EU apo NATO. Ne bëmë pikërisht të kundërtën e votuam atë që mos të integrohemi”, tha Enisa Bajrami, qytetare.

Zllatku: Klasa politike shqiptare nuk krijoi shtigje drejt eurointegrimeve

Mendimi im është se shqiptarët nuk duhet të ngrihen në protesta për të shprehur dëshirën dhe kërkesën e tyre aderuese për në NATO dhe BE. Të gjithë (opinioni i gjerë dhe zyrtarë të ndryshëm në MK dhe jashta saj) janë të njoftuar me dëshirën dhe përcaktimin e shqiptarëve pro NATO dhe BE, prandaj nuk ka nevojë që këtë dëshirë ta shprehin nëpërmjet protestave. Protestat, nëse organizohen, ato duhet të jenë të drejtuara kah klasa politike shqiptare e cila me premtimet e saja gati çerek shekullore nuk krijoi mundësi apo shtigje që do të çonin shtetin rrugës drejt inkuadrimit në këto struktura”, tha Muhamed Zllatku, qytetarë.

Rama: NATO dhe BE janë shpresa e vetme

“Në një vend me perceptime kushtetuese demokratike,tregon që protesta është instrument demokratik i rëndësishëm ku qytetarët shprehin pakënaqësitë e tyre,një popull që proteston është popull me vetëdije të lart. Për tu thirrur në protestë duhet të kemi shkas që kjo protestë të jete në thelb legjitime dhe me kuptim e që në fakt për vendin tonë NATO dhe BE janë shpresa e vetme ,dritë në fund të tunelit, po ku qëndron problemi ,shkaku kryesor i mos inkuadrimit në NATO është elementi nacional që e karakterizon shumicën e popullit në Maqedoni duke e promovuar këtë ideologji nacionale VMRO DPMNE duke mos ndryshuar emrin duke mos gjetur kompromis me vendin që ka venduar veto-barrikadë, pra Greqia dhe paradoksi më i madh është të gjithë e duam NATO-n por shumica e votojmë kryeministrin që nuk lejon kompromise dhe që për 10vjet ngec në rrugën euroatlantike. Pra me një fjalë protesta më e mirë është vota e që në fakt ose nuk jemi të vetëdijesuar ose në fakt nuk dimë të protestojmë sepse nuk kemi guxim intelektual ku si popull jemi të udhëhequr në interesa personal sesa ato kolektive pra kombëtare. Nëse ne nuk hymë në NATO ta harrojmë zhvillimi tonë si shtet në gjitha suazat shoqërore aq më shumë ta harrojmë BE. Çdo protestë , çdo reagim,  çdo alternativ-mendim ndryshe është i mirëseardhur dhe vetëm në këtë mënyrë avancohet shteti”, tha Ariton Rama, student.   /Portalb

Exit mobile version