Site icon PORTALB

Identiteti dhe trashëgimia jonë kulturore

Fatmir Sulejmani

Fatmir Sulejmani

Ndër temat e preferuara shqiptare gjatë tri dekadave të fundit ka qenë dhe është akoma ajo e identitetit etnik , me të cilën, të paktën në Ballkan, merren vetëm ata që janë në stinën e kërkimit dhe të sajimit të ankthshëm të shenjave identitare.

Shih për këtë, që në nismë të këtij shkrimi, po e shtrojmë pyetjen: çështë në të vërtetë identiteti?

Sipas ekspertit Antoni D. Smith: (autor i veprës “Identiteti kombëtar”National Identity, London 1991), të cituar nga publicisti Shëkzen Maliqi, janë 6 tipare kryesore të një bashkësie kombëtare: emri kolektiv i përbashkët, miti mbi prejardhjen e përbashkët, kujtesa e përbashkët historike, një ose më shumë elemente diferencuese të kulturës së përbashkët, lidhja me një atdhe të caktuar dhe ndjenja e solidaritetit dhe përbashkësisë e një pjese të rëndësishme të popullsisë.

Së këndejmi, për sa u takon tipareve kolektive identitare, kur jemi në pyetje ne shqiptarët, rezulton plotësisht e shpifur dhe tendencioze dilema/ dyshimi që vërdalliset nëpër mediet e shkruara dhe elektronike, nëpër tryeza të rumbullakta dhe konferenca shkencore, sepse, një për një, e gjejmë veten brenda të gjitha përkufizimeve të mundshme të bëra për identitetin.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se identitetit tonë, të pambrojtur me forma veprimesh institucionale, nuk i kanoset rreziku i shndërrimit në diçka që nuk jemi sot, para së gjithash për shkak të pranimit të pakontrolluar të modeleve të huaja kulturore që sjell me vete trendi i pandalshëm i globalizimit.

Për mendimin tim, pa dashur të operoj me teorira konspiracionesh, dilemat dhe dyshimet lidhur me identitetin e shqiptarëve ngrihen për interesa të huaja dhe prej matrapazësh që janë instaluar në të gjitha poret e rëndësishme të jetës sonë. Të kësaj provinience janë intelektualët gjysmagjelë me format liliputësh, gazetarët injorantë me mungesë të dukshme të vetëdijes kombëtare, politikanët tenderokratë dhe interesaxhinj, dhaskalët e dështuar e të shkelur kohe, klerikët monstrumë që i kanë zët shenjat e etnisë e shumë të tjerë, që, në mungesë të kapaciteteteve për të mbuluar profesionalisht e me dinjitet fushat e tyre parësore dhe të shtyrë nga interesat meskine materiale, luajnë lojën e dreqit, duke i shkaktuar dëme të mëdha qenësisë sonë. Të tillët, fjala vjen, me vonesë prej 100 vitesh, përpiqen të ndryshojnë me shpejtësi pikëpamjen rilindase dhe të vërtetat mbi perandoritë e huaja në trojet tona, të konstatuara, të përjetuara e të përjetësuara nga pena e atyre që dhanë gjithçka për krijimin e njësisë së gjuhës, njësisë së kombit dhe njësisë së shtetit shqiptar.

Këta mohsa, siç i quan Kadareja, janë trimëruar dhe aktualisht, të mbrojtur nga demokracia e kuptuar mbrapsht, pështyjnë publikisht vlerat tona sublime dhe personalitetet e shquara pa të cilët nuk ka komb. Mjafton të klikojmë në rrjetet sociale të medieve elektronike për t’u ballafaquar me misionet e zuzarta të shqipfolësve të mbarsur me ortodoksizëm bizantin apo shqipfolësve neootomanë, që i janë futur me sistem zhveshjes së qenies sonë nga shenjat identitare, duke shfrytëzuar simpatinë e padiskutueshme të njerëzve të thjeshtë ndaj pasardhësve të pushtuesve të dikurshëm, që kanë të përbashkët me një pjesë tonën vetëm religjionin dhe që sot nuk janë më ata që qenë dje…

Kjo ka bërë që, çuditërisht, atëherë kur të tjerët, prej identitetit artificial synojnë krijimin e identitetit të natyrshëm, ne të veprojmë në kahjen e kundërt, duke vënë pikëpyetje të idiotshme para identitetit tonë të mirënjohur botërisht dhe duke e zbritur atë në identitet të imponuar, në identitet zyrtar, në sajesë të diktaturës komuniste (siç pretendojnë disa), në identitet gjysmak, të mbështetur vetëm në shtyllën e ndonjërit prej 3-4 besimeve tona fetare që ia kanë dalur gjer më sot të bashkëjetojnë paqësisht ndërmjet tyre.

Të këtillë siç jemi, rezultojmë raca më unikate e rruzullit tokësor, duke qenë se mbijetuam në stinë të liga shtypjesh e pogromesh të tmerrshme, madje dhe nën sundimin shumëshekullor, romak, bizantin e otoman, ku s’e kishim as të drejtën e një shkronjeje të vetme shqipe; duke qenë se mbijetuam dhe terrorin 100 vjeçar sllav, kur në vend të shkollave e universiteteve, medieve elektronike e librarive… kishim vetëm odat dhe traditën e pasur folklorike, kurse tregojmë paaftësinë tonë për t’mberur ashtu si na ka falur Zoti, në kohë paqeje e lirie diku të plotë e diku relative…

Në dallim prej shqiptarëve të sotëm, Rilindasit e kuptuan rrezikun e shpërbërjes së kombit, ndaj dolën me tezën: Feja e shqiptarit është shqiptaria!, që nuk ishte në funksion të dobësimit të fesë, po në funksion të forcimit të kombit. Sot ndërkaq, kur nëpër shtëpitë tona ka më shumë medie elektronike se sa enë guzhinash; kur informacioni nuk mund të pengohet me asnjë ligj edhe për ne shqiptarët e degdisur në gjashtë shtete ballkanike; kur të tjerët po ringjallin vetëdijet e fjetura më gjatë se vetëdija jonë…, ne, përkundër të dhënës se duket sikur po integrohemi me pjesën tjetër të botës, po e lejojmë dezintegrimin më të pakuptimtë të qenies sonë, të cilën e rrezikojmë vetë në të gjitha dimensionet.

Prandaj, le t’mos na mashtrojnë kosmopolitët e rremë, veçmas le t’mos na i kripin mend se të tjerët kanë ngritur dorë nga mbrojtja e shenjave identitare. Kush nuk e di tani më se dallimi mes nesh dhe popujve të qytetëruar evropianë nuk qëndron gjetkë, pos në të dhënën se ata mbrojnë vetveten me mekanizma institucionalë, kurse ne me përjargje atdhetare çajtoresh e salephanesh. Prandaj duhet ta pranojmë se rreziqet e humbjes së shenjave identitare janë të kudondodhshme, po unë po përmend këtu vetëm disa prej tyre, si:

Bazuar në atë që po ndodh me ne aktualisht, duhet ta pranojmë se jemi të rrezikuar, përkundër heshtjes sonë kokëfortë dhe mungesës së gatishmërisë për t’u vënë në mbrojtje të trashëgimisë sonë të rrezikuar shpirtërore e materiale.

Fatmirësisht sot kemi disa institucione (universitete, institute…), që duhet të jenë në funksion të mbrojtjes së kësaj trashëgimie të veçantë e të larmishme kulturore, po a do të mjaftojë kjo për t’ia dalë mbanë kësaj beteje në këtë kohë globalizimesh e humbjesh të përditshme të identiteteve të etnive të dobëta, siç rezultojmë të jemi ne?

Vërtet: si do të mbijetojmë ne shqiptarët e Maqedonisë, me këtë shkallë të lartë papunësie e paperspektive, me këtë ekzod masiv të të rinjëve tanë, me këtë infrastrukturë kulturore për gazep, me qytete pa kinema, pa teatro, pa revista letrare, pa aktivitete kontinuele kulturore, pa interesimin tonë serioz për përmirësimin e kësaj katrahure?

Janë këto çështje që kërkojnë zgjidhje urgjente prej klasës politike e intelektuale shqiptare, nëse jeta dinamike e së sotmes do të tregohet e mëshirshme ndaj hapave tanë të kërmilltë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version