Site icon PORTALB

Qeveria do të jetë gati në qershor

Presidentit Ivanov i kanë mbetur vetëm edhe tre ditë që ti japë mandatin për formimin e qeverisë, liderit të VMRO-së Nikolla Gruevski. Ky i fundit pastaj ka edhe 20 ditë në dispozicion që në Parlament të dërgoj listën me emrat e ministrave të ri. 

Jozyrtarisht pritet që për këtë të shfrytëzohen edhe çastet e fundit të afatit ligjor dhe Qeveria e re të jetë gati kah fillimi i muajit qershor, apo pak para pushimeve verore, shkruan gazeta Koha.

Vetëm edhe tre ditë i kanë mbetur në dispozicion presidentit Gjorgje Ivanov për të autorizuar mandatarin për formimin e Qeverisë së ardhshme. Më së voni deri të martën, Ivanov duhet këtë mandate t’ia japë fituesit të zgjedhjeve parlamentare të 27 prillit, kryetarit të VMRO-së, Nikolla Gruevski. Nga dita e marrjes së mandatit, ky i fundit ka në dispozicion vetëm 20 ditë të përpilojë emrin e drejtuesve të pushtetit ekzekutiv dhe zëvendësve të tyre. Në të njëjtën periudhë, emrat e kabinetit të ti qeveritar, Gruevski duhet t’ia propozojë Parlamentit që më pas me shumicë votash, ato edhe të zgjidhen në detyrat e tyre. Sipas tempos së procedurave të deritanishme dhe negociatave mes dy partive më të mëdha fituese, VMRO dhe BDI, Qeveria e ardhshme jozyrtarisht pritet të jetë gati në fillimin e muajit të ardhshëm, apo në ditët e fundit të afatit të lejuar ligjor, shkruan Koha.

 Për 7 ditë që nga konstituimi i Parlamentit, presidenti Ivanov ende nuk ka bërë hapin e nevojshëm për të përshpejtuar këtë proces. Nga ana tjetër, shumë ngadalë duket që rrjedhin edhe bisedimet mes grupeve partiake të dy partnerëve të deritanishëm qeveritarë, VMRO dhe Bashkimit Demokratik për Integrim.

Siç njoftuan tanimë edhe këta të fundit, aktualisht negociohet rreth platformës qeverisëse për katër vitet e ardhshme, ndërsa edhe vetë ata kanë njoftuar se ndarja e dikastereve është lënë për në fund. Por, jozyrtarisht në opinion kanë filluar të liferohen kalkulimet e para për atë se cilat ministri dhe drejtori do të menaxhohen nga kuadro shqiptare që do të emërohen nga partia fituese në kampin shqiptar. BDI, sipas informative të para jozyrtare, pretendon të mbajë dy poste të zëvendëskryeministrave, atë për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe zëvendëskryeministrin për çështje ekonomie. BDI pritet të marrë poashtu edhe katër ministri, shumica prej të cilave do të jenë të ndryshme nga ato që ka udhëhequr nga viti 2011 e këndej. 

BDI, sipas informative të liferuara jozyrtarisht në opinion, pritet të riktheje dikastere me të cilat ka menaxhuar në qeveritë e kaluara si ajo për Punë dhe Politikë Sociale dhe njërën prej dyve, Arsimin ose Shëndetësinë. Përveç këtyre, BDI do të mbajë edhe më tej Ministrinë e Pushtetit Lokal, ndërsa pas shumë vitesh do të rikthejë edhe Ministrinë e Bujqësisë. Dega e Tetovës së BDI-së pritet të emërojë tre emra në pushtetin ekzekutiv. Përveç Fatmir Besimit dhe Hazbi Likës, BDI ka shumë gjasa që kryetarin e Degës së kësaj partie në Tetovë, Atilla Rexhepi, ta emërojë në krye të Shëndetësisë nëse e merr këtë ministri. Ndërkaq, Shkupit do ti takojë Ministria për Punë dhe Politikë Sociale. Nuk dihet edhe më tej se kush do të drejtojë me Pushtetin Lokal, ndërsa degët që nuk do të kenë një kuadër në krye të ndonjë ministrie, do të caktojnë zëvendësministrat që do ti takojnë BDI-së. Por, zyrtarisht nga BDI, këto informata i kanë vlerësuar si të pabaza dhe liferime mediatike.

Exit mobile version