Mos nxirr kokën në dritare bir se nuk dua të ma shohësh këtë Vendin Tim. Këtë tokën time. Nuk dua të ma shohësh kështu siç është bërë. Siç e kemi bërë ne. Tek po erret nga dita në ditë në një dhimbje që s’ka kufij. Ku rrugët e ftohta s’të çojnë kërrkund.
Lerma mua atë.Ta fsheh.Ta largoj në ato cepat më të fshehtë e më të largët të mendjes sime e të zemrës. Që i njoh veç unë. E ta mbaj kështu larg teje, ashtu siç është. Ashtu siç nuk e desha të ishte, por është i imi. Kështu munda ta ndërtoj unë atë. Kaq munda të bëj.
Nuk do ta lë vetem. Mos u tremb. E mos u merakos ti shpirti im. Do ta mbaj ngrohtë. Më beso. Ti se di. E s’ke se si ta dish. Por ne kemi një lidhje që se shkëput njeri mbi këtë tokë. E as një forcë tjetër.
E dua edhe kur ka halle të mëdha dhe shpina e lodhur s’ja mban dot. Bile e dua më shumë atëherë. Mos u habit nga kjo. Kjo duket një dashuri pa kuptim. E di. Por kur pati ndonjëherë kuptim dashuria.
Bir, a po e sheh se na mbyti mizerja. Mashtrimi dhe dhuna. Jemi më të keqkuptuarit e kohërave. Na morën urtësinë e mençur dhe na përkthyen për budallallëk. Kush, ca kopuk e mashtrues. Ca që fshehin veten pas armëve dhe mungesën e guximit pas plumbave. Pas plumbave që vrasin kriminelët më të çuditshëm që kjo botë ka njohur, e këta janë më të varfërit e këtij vendi.
Të varfër që prishin rendin e gjërave. Po të cilave gjëra, të gjërave që shëmtojnë dhe ç’nderojnë Vendin Tim. A e di biri im se këtu në Vendin Tim, në Vendin Tonë familjet e këputura ushqehen më keq se “Qeni i Sharrit” i familjarevë të udhëheqësve. A e di biri im se këtu të rinjtë s’kanë asnjë perspektivë për jetën. Jua sterrosin të ardhmen. Që s’duket kërrkund. E di biri im se këtu mësuesit e dinë të vërtetën dhe s’kanë fuqi tua thonë fëmijëve. Ata e dinë , biri im dhe rinë me shprit ndër dhëmb, e me dhëmb të shtrënguar. Mundohen me lot që s’rrjedhin dhe psherëtima që s’shpërthejnë tua ndjellin dashurinë për këtë vend. Për bukurinë e tij. Që s’është. Për perspektivën e tij. Që s’vjen akoma. Për ëndrrën e tij. Që mbeti veç ëndërr. Gjithmonë.Ku dhimbja të këput në mes. E s’duan të të lënë as të qash. Sepse kanë frikë nga lotët. Sepse një njeri që qan është një njeri që ndjen. E një njeri që ndjen është një njeri që guxon, bir.
Bir, a po e sheh se lëngon ky Vendthi Ynë. Po e kalbin si kurrë ndonjëherë. Po kush se? Ata që duhej ta shëronin. A po e sheh se jemi një shoqëri në ethe. Që lëkundet mes të ardhmes dhe të shkuarës. Mes urtësisë së pamjes dhe zjarrmisë së shpirtit.
Të thash, pra, mos e nxirr kokën në dritare bir, se nuk dua të ma shohësh kështu Vendin Tim, Vendin Tonë. Si mbi një parvaz pusi. E mbi të gjitha mos mi shih sytë me lot bir. Si të kam thënë “Burrat e këtij dheu nuk qajnë!”.
Shkruan: Agron Shaqiri