Ka nisur të martën në gjykatën e qarkut të Tiranës proçesi gjyqësor ndaj 20-vjeçarit Aldo Hoxha, i akuzuar për vrasjen e Fatbardha Tafajt, vetëm për t’i vjedhur varësen.
Sipas informacioneve të fundit, në mbrojtje të të riut vrasës është caktuar avokati Arben Qeleshi, i cili ka kërkuar 30 minuta kohë për t’u njohur me aktet.
Kërkesa e tij është pranuar nga trupi gjykues dhe për rrjedhojë seanca është ndërprerë për rreth 30 minuta.
Aldo Hoxha u arrestua ditën e shtunë pas një gjuetie të vërtetë njeriu të forcave të policisë, të ndihmuara nga laboratori i policisë shkencore.
Ai është dënuar dhe një vit më parë për përdorim të armëve luftarake në zonën e Fushës së Aviacionit, si dhe ka qenë i skeduar më parë për vjedhje me dhunë.
Fatbardha Tafa u qëllua për vdekje me thikë në sy të fëmijëve të saj, ndërsa motra e saj, Lumturie Gjana, mbeti e plagosur.
Nga hetimet e kryera, ekspertët e policisë arritën të formonin identikitin e autorit, bazuar edhe në dëshminë e një prej fëmijëve të viktimës, i cili e kishte parë atë në fytyrë.
Autoritetet thanë se grabitësi tjetër, ai që drejtonte motorçikleten, ishte me trup normal, por në fytyrë mbetej i paidentifikuar për shkak të një skafande, e cila raportohet të ketë qenë me ngjyrë të zezë dhe e shkruar me ngjyra të hapura.
Për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve ishin vënë 20 numra telefoni në përgjim dhe janë kontrolluar dhjetë servise makinash, pasi mendohej se autorët kishin shitur motorin për të humbur gjurmët. /portalb/