Filipçe: Afati dhe cilësia e vaksinave janë në rregull, dënim për kompaninë farmaceutike që ka bërë gabim me deklaratat
Përfaqësuesit zyrtar të kompanisë “Glakso Smith Klajn”, i kontrolluan vaksinat, paketimin dhe afatin. Na siguruan se është produkt i tyre, se afati është në rregull dhe se cilësia është në pajtim me standardet e tyre, i konfirmuar me testime në laboratore evropiane, që ka vetëm në disa vende në tërë Evropën dhe është vaksina e njëjtë e cila praktikisht përdoret në të gjitha vendet e BE-së, deklaroi sot ministri i shëndetësisë Venko Filipçe, përcjell Portalb.mk.
Ministri theksoi që do t’i thërrasin në përgjegjësi të gjithë drejtorët e institucioneve shëndetësore dhe ata të cilët e kanë pranuar dërgesën me vaksina, për t’u sugjeruar si ka mundur të ndodhë lëshim i tillë, të mos detektohet dallimi ndërmjet afatit të vërtetë, që është në rregull, dhe atij në deklaratë, që të ndërmerren edhe sanksione nga Ministria ndaj personave përgjegjës në ato institucione. Ai ka thënë që rreth 650 kuti me vaksina kanë pasur deklarata me gabime.
– Përfundoi kontrolli i inspektorëve të Agjencisë për ilaçe dhe mjete medicinale të Republikës së Maqedonisë (MALMED) në të gjitha vendet, ku ishin detektuar vaksinat, të cilat janë me afat të kontrolluar dhe valid, megjithatë me deklarata të gabuara. Është konstatuar numri, është përpiluar raporti dhe tani do të vazhdohet drejt sanksionimit të kësaj procedure ndaj kompanisë farmaceutike “Makedonijalek”. Do të këmbëngulim që dënimi të jetë maksimal, duke pasur parasysh se vlerësojmë që ky lloj i shkeljes, i cili seriozisht e cenon reputacionin e shëndetësisë publike asnjëherë më nuk duhet të përsëritet, ka thënë Filipçe.
Duke u përgjigjur pyetjes së një gazetari theksoi se nga ana e Agjencisë për ilaçe dënimi për kompaninë farmaceutike është me para dhe është prej 30.000 deri 70.000 euro.
– Unë personalisht me drejtorin e Agjencisë për ilaçe do të insistoj që dënimi të jetë maksimal. Kontrata me “Makedonijalek” skadon dhe s’mund të bëjmë asgjë më shumë për shkak se edhe sasia e fundit e vaksinave është tërhequr. Kjo është sasia në të cilën ka ndodhur gabimi. Shpresoj se gjithçka që do të ndërmarret nga ana e Agjencisë për ilaçe, që ka ingjerenca, do të jetë punë serioze që do t’i sugjerojë jo vetëm kësaj kompanie, por edhe gjitha kompanive tjerave se disa procedura duhet seriozisht të respektohen në suazat e teknologjisë tyre të punës, ka shtuar Filipçe.