Site icon PORTALB

Maqedoni, filloi projekti për luftimin më efikas të falsifikimit të euros

Foto: AA/Husameddin Gina

Foto: AA/Husameddin Gina

Banka Kombëtare e Maqedonisë ka organizuar një konferencë ku paralajmëroi fillimin e projektit “Përforcimi i kapaciteteve të sistemit të luftimit të falsifikimit të euros” të financuar nga Bashkimi Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencë ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë, Oliver Spasovski, i cili tha se Maqedonia është në prag të fillimit të negociatave me BE-në dhe se ai proces nga të gjithë do të kërkojë hapa të mëdha para se gjithash për përmbushjen e standardeve evropiane.

Spasovski bëri të ditur se ky projekt për të forcuar kapacitet e sistemit të luftimit të falsifikimit të euros ka filluar zbatimin më 1 nëntor të vitit 2018 dhe se synon të krijojë funksionimin efektiv të sistemit për të parandaluar kryerjen e aktiviteteve kriminale, si dhe forcimin e sistemit monetar të Maqedonisë me standardet evropiane për të luftuar falsifikimin e parave.

Sipas ministrit Spasovski, falsifikimi i parave, përfshirë euron, do të jetë një nga fushat kryesore në kapitullin 24 që do të jetë objektivi për fillimin e shqyrtimit për pranimin në BE.

Zv/guvernatorja e Bankës Kombëtare të Maqedonisë, Emilija Nacevska, theksoi se menjëherë pas hyrjes së vendit në BE, integriteti i euros do të mbrohet si integriteti i monedhës vendase.

Projekti do të zgjasë tetë muaj, buxheti do të jetë 250 mijë euro, ndërsa atë do ta zbatojnë Ministria e Punëve të Brendshme, Banka Kombëtare e Maqedonisë dhe Deutsche Bundesbank, me mbështetjen e ekspertëve të Bankës Qendrore kroate, austriake dhe asaj evropiane.

Qëllimi i këtij projekti është të mbështesë krijimin e një sistemi të shëndoshë dhe efikas për mbrojtjen e interesave financiare kombëtare dhe të interesave financiare të BE-së përmes monitorimit efektiv të falsifikimit të euros.

Exit mobile version